Kryesore Ndahet nga jeta At Artur Liolin, kush ishte pasardhësi Fan Nolit në...

Ndahet nga jeta At Artur Liolin, kush ishte pasardhësi Fan Nolit në SHBA

At Arthur Liolin është ndarë nga jeta. Lajmin e trishtë e ka dhënë Mitropolia e Shenjtë në Korçë.

Ikja nga jeta e At Arthurit është një humbje e madhe jo vetëm për familjen e tij, por edhe për Kryepeshkopatën Orthodhokse Shqiptare në Amerikë dhe komunitetin shqiptar në SHBA.

“FJETI MË ZOTIN ATË ARTHUR LIOLIN

Me hidhërim të thellë morëm lajmin e fjetjes në Zotin të Atë Arthur Liolinit. Një humbje e madhe për familjen e tij, Kryepeshkopatën Orthodhokse Shqiptare në Amerikë si dhe për  të gjithë komunitetin shqiptar në Amerikë. Mitropolia e Shenjtë e Korçës i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes së tij dhe lutemi që Perëndia t’ju japë atyre forcë dhe  shpirtin e tij ta prehë në tendat e të drejtëve. I përjetshëm kujtimi!”, shkruhet në njoftimin Mitropolisë së Shenjtë të Korçës.

At Artur Liolin lindi në Nju Jork në vitin 1943 nga prindër shqiptarë me prejardhje nga Boboshtica e Korçës. Ai cilësohej si njeriu që mishëron atributet e një personi me mjaft reputacion në diasporën shqiptare të SHBA. Ai ishte kancelar i Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare me qendër në Boston dhe vlerësohej si një pasardhës i denjë i Fan Nolit, themeluesit të kësaj kishe.

Studimet e larta i kreu në vitin 1967 për Histori Arti (Mesjeta dhe Bizanti) në Universitetin Princeton, ku u diplomua me (Summa cum laude). Gjithashtu, ka bërë studime në Institutin “Albert Schveitzer” në Zvicër në programin: “Kriza në Qytetërimin Perëndimor,” ku përfshihen një sërë hulumtimesh ekonomike, kulturore, historike dhe filozofike. Atë Arturi ka shkruar mjaft artikuj rreth çështjes shqiptare.

Në vitin 1970 u dorëzua në gradën priftërore në Boston ku i ka shërbyer popullit shqiptaro-amerikan. Ai ka organizuar Bibliotekën e Fan Nolit, pranë Kryekishës së Shën Gjergjit në Boston. Në vitin 1975 u emërua Kancelar i Peshkopatës Ortodokse Shqiptare të Amerikës. Në vitin 1991 At Arturi bëri udhëtimin më të famshëm të jetës së tij, në 22 qytete të Shqipërisë. Ka udhëtuar në Shqipëri edhe dy herë të tjera për të qartësuar pozicionin e kolonisë amerikane në çështjen e Kishës Ortodokse Autoqefale.

At Artur Liolin ishte martuar dhe la pas tre fëmijë.