Është ndarë nga jeta këtë të martë ish-futbollisti dhe ish-trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Shyqyri Rreli. Presidenti i Republikës, Ilir Meta, me anë të një postimi në rrjetet sociale i shprehu ngushëllimet familjes Rreli dhe gjithë botës së futbollit dhe sportit shqiptar.
“E gjithë jeta e tij ishte në shërbim të zhvillimit të sportit e në veçanti futbollit. Kontributi i tij i gjithanshëm si një futbollist kampion, por edhe si një trajner i arritjeve historike në drejtim të Ekipeve Shpresa në nivelet më të larta ndërkombëtare, të Ekipit Kombëtar dhe të ekipit të jashtëzakonshëm të Tiranës (17 Nëntori) të viteve ’80, meriton nderim dhe respekt”, shkruan Meta.
Kreu i shtetit kujton se me këtë trajner, kombëtaret fitonin kampionatet ballkanike dhe mundnin ekipet më të forta të kontinentit.
“Ne sot kujtojmë Tiranën (17 Nëntorin) e Prof. Rrelit si një kampione e jashtëzakonshme, por edhe fituese ndaj shumë ekipeve të mëdha në ndeshjet ndërkombëtare. Sepse profesori dinte të krijonte frymën e ekipit dhe t’i edukonte me ndjenjën e fitores lojtarët e tij duke e ngritur në një stad të ri futbollin tonë në arenën ndërkombëtare”, thotë ndër të tjera kreu i shtetit.
Shyqyri Rreli ka qenë një futbollist i cili ka luajtur për Dinamon, Erzenin dhe Tiranën. Ai ka pasur në drejtim kombëtaren e futbollit, ekipin e Shpresave, 17 Nëntorin (sot Tirana), Teutën dhe Shkumbinin e Peqinit.