Kulturë Ndahet nga jeta Mario Brunetti, ASH: Nuk ishte arbëresh nga origjina por...

Ndahet nga jeta Mario Brunetti, ASH: Nuk ishte arbëresh nga origjina por u bë më ‘arbëresh’ se ne

Është ndarë nga jeta në Itali Mario Brunetti, hartuesi i ligjit për mbrojtjen e gjuhëve të pakicave në Itali, propozuesit e realizuesi i statusit ligjor të arbërishtes në shkollë, i njohur ndryshe si “mbrojtësi i gjuhës së etërve”.

Mario Brunetti pati një veprimtari mbi 70-vjeçare si jurist, publicist, politikan e veprimtar i shquar i së majtës tradicionale e moderne italiane, deputet, autor i shumë librave studimorë, kulturorë e letrarë.

Me ndarjen nga jeta të figurës së tij, Kryesia e Akademisë së Shkencave shpreh dhimbjen e saj për këtë humbje të madhe dhe u përcjell ngushëllimet e veta familjarëve e të afërmve, studiuesve të botës arbëreshe e mbrojtësve të gjuhës dhe trashëgimisë arbërore në Itali, kolegëve tanë akademikë që e kishin nyje të fortë ndërveprimi.

“U nda nga jeta “mbrojtësi i gjuhës së etërve”, hartuesi i ligjit për statusin juridik të gjuhëve të pakicave në Itali, propozuesi e realizuesi i njohjes ligjore të arbërishtes si gjuhë mësimi në shkollë, on. Mario Brunetti

Mario Brunetti mori pjesë aktivisht në luftë si antifashist dhe ishte një prej përfaqësuesve të shquar të antifashizmit italian; mik i veçantë i Shqipërisë në të dyja periudhat e historisë moderne të saj.

Është nderuar me mirënjohje të larta nga shteti shqiptar para së gjithash për rolin e tij si protagonist i njohjes së statusit ligjor të arbërishtes në Itali. Nuk ishte arbëresh nga origjina, por “u bë më arbëresh se ne”, do të thuhej për të”.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë thotë se ka pasur nderin dhe kënaqësinë ta ftojë e ta mikpresë Mario Brunetti-n si ligjërues e referues në konferenca shkencore, duke përfshirë atë të 75-vjetorit të çlirimit përkujtuar më 2019.

Vitet e fundme, megjithëse rreth 90 vjeç, Mario Brunetti ndërmori nismën për nderimin e figurës tjetër të rëndësishme të botës italo-shqiptare Antonio Gramshi, veprimtar antifashist me njohje europiane, teoricien, estet, krenar për origjinën e tij shqiptare.

Në kuadër të nismës “Itinerari gramsciani”, themeluar prej tij, Akademia e Shkencave bashkëpunoi ndër vite, në Shqipëri e ndër komunitetet arbëreshe, me Mario Brunetti-n.

Ai ishte rregullisht i pranishëm e aktiv në veprimtaritë e organizuara nga dijetarët arbëreshë që drejtonin e drejtojnë katedrat e shqipes në Cosenza e Palermo akademikët Francesco Altimari e Matteo Mandalà.