Është ndarë nga jeta në moshën 73-vjeçare Mjeshtri i Madh i humorit Zef Deda. Lajmin e hidhur e ka bërë të ditur djali i tij, aktori i njohur Julian Deda.
Zef Deda prej pak kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë. Deda ka ndërruar jetë në Shkodër, ndërsa pritet që ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit të bëhet të shtunën, kur edhe do të mbahen homazhet në teatrin “Migjeni”.
Zef Deda është një nga komedianët më të mirë të Shqipërisë, i cilësuar edhe si Charlie Chaplin i Shqipërisë. Lindi në Shkodër më 27 korrik 1950. Eshtë shkolluar në qytetin e tij të lindjes, dhe në politeknikumin e ndërtimit në Tiranë. Fillon shkollën e lartë për gjuhë–letërsi, por nuk e mbaron dot për arsye shëndetësore.
Ka punuar për më shumë se 40 vite në Teatrin Migjeni të Shkodrës. Talenti i tij spikat që në moshë të vogël. Me një shkathtësi dhe me një plastikë të shkëlqyer psiko-fizike ai arrin të realizojë qindra figura artistike. Prandaj dhe ishte mjaft i dashur për publikun shqiptar, sidomos atë shkodran.
Pas një shkëputje prej 6 vitesh, për shkak te emigrimit jashtë atdheut, ai kthehet në vitin 1996 në Shqipëri për të ushtruar profesionin e aktorit, të cilin e vazhdon me shumë sukses.
Zef Deda gjithashtu ka interpretuar edhe shumë komedi si: “Vëllai nga babai”, “Kollovari”, “Big Brother Shkodra 1”, “Big Brother Shkodra 2”, etj.
Zef Deda ishte i martuar me Rozina Dedën dhe ka dy djem, Julian Deda dhe Marjan Deda.