Aktorja amerikane Shannen Doherty është ndarë nga jeta pas një beteje të gjatë me sëmundjen e kancerit, një lajm ky që konfirmohet për “People”.
“Me hidhërim në zemër konfirmoj vdekjen e aktores Shannen Doherty. Dje, më 13 korrik, ajo humbi betejën me kancerin pas shumë vitesh luftë me sëmundjen,” tha publicistja e vjetër e Doherty-t, Leslie Sloane në një deklaratë ekskluzive për “People”.
“Vajza, motra, tezja dhe shoqja e përkushtuar ishte e rrethuar nga të dashurit e saj si dhe qenushi, Bowie. Familja kërkon ruajtjen e privatësisë në këto momente të vështira, në mënyrë që ata ta kalojnë me qetësi këtë humbje,” vazhdoi Sloane.
Ylli i “Beverly Hills 90210” u diagnostikua për herë të parë me kancer gjiri në vitin 2015. “Patjetër që kam ditë kur pyes veten: “Pse unë?”, tha Doherty në një intervistë për “People” disa kohë më parë.
Në vitin 2017, ajo zbuloi se kanceri i gjirit ishte kthyer pas periudhës së shërimit.
Doherty u bë e famshme si Brenda Walsh në “Beverly Hills, 90210”, që u shfaq premierë në vitin 1990. Doherty u largua nga shfaqja pas sezonit të katërt, pikërisht në vitin 1994.
Pas famës në “Beverly Hills”, Doherty interpretoi në serialin “Charmed” si Prue Halliwell, motra më e madhe nga dy të tjerat. Aktorja amerikane punoi pa ndërprerje gjatë gjithë karrierës së saj, madje solli një film me metrazh të shkurtër me titull “Breaking Up with Shannen Doherty”, ndërsa u angazhua si konkurrente në “Dancing with the Stars” në vitin 2021.
Edhe pse aktorja është shprehur se ishte e vetëdijshme për diagnozën e saj, ajo e mbajti atë sekret nga shumë kolegë të saj, sidomos pas vdekjes së papritur të aktorit të Luke Perry në moshën 52-vjeçare.
Shannen Doherty ishte 53 vjeçe.