Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar mëngjesin e kësaj të hëne se një mjek tjetër është ndarë nga jeta për shkak të koronavirusit.
Doktor Hysni Shkjau, 69-vjeçar, nuk e fitoi dot betejën me Covid-19. Ai luftonte prej disa ditësh me sëmundjen në Spitalin Infektiv. Gjendja e tij u rëndua si pasojë e vështirësisë në frymëmarrje dhe disa sëmundjeve bashkëshoqëruese.
Shkjau, me 40 vite eksperiencë si mjek nuk e kishte ndërprerë punën dhe vijonte të shërbente si mjek familje në qendrën shëndetësore Qafë-Mali në Bashkinë Fushë-Arrëz të Pukës.
“Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllime familjarëve, miqve dhe kolegëve. Është një humbje e madhe për sistemin shëndetësor, humbja e një mjeku që i ka shërbyer me përkushtim e profesionalizëm për 40 vite komunitetit të tij”, thuhej në njoftimin e ministrisë.
Shkjau është personi i dytë në radhët e bluzave të bardha që humb jetën për shkak të koronavirusit. Disa ditë më parë, Arjan Pushi nuk mundi t’i mbijetonte dot sëmundjes së rëndë.