Gazetari, publicisti dhe ish-kreu i të përndjekurve politikë, Nebil Çika është ndarë nga jeta në moshën 58-vjeçare.
I përndjekur familjarisht gjatë regjimit komunist, Nebil Çika ka qenë gazetar që prej fillimeve të viteve ’90-të.
Çika pati marrëdhënie me shumë media në hapësirën shqiptare. Në fillimet e veta ai punoi si reporter i kronikës e më pas gazetar politik në shumë media të vendit si ”Standart”, ” RD” etj, si dhe botues i gazetës “Minerva”, që mbante emrin e gazetës ku shkruante Nebil Çika i vjetër, një nga intelektualët e publicistët më të njohur të fillimit të shekullit 20.
Lajmi për ikjen e parakohshme të kolegut Nebil Çika ka tronditur mjedisin mediatik, miqtë dhe kolegët e tij të shumtë.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë i përcjell familjes Çika ngushëllimet për humbjen e njeriut të dashur.
Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Roland Bejko, ka zbuluar bisedën e fundit me gazetarin dhe publicistin Nebil Çika, i cili mëngjesin e kësaj të enjte mbylli sytë përgjithmonë.
Në një postimi në rrjetet sociale, Bejko bën me dije se me Çikën kishte biseduar mbrëmjen e djeshme rreth orës 17:55, ku dhe kishin zhvilluar një bisedë të shkurtër.
“Sot unë humba mikun dhe bashkëpunëtorin tim të çmuar, aktivistin dhe publicistin e talentuar, antikomunistin dhe demokratin e vendosur, Nebil Çika. Familja, humbi njeriun e saj të dashur, shoqëria, mikun e vet të mirë, ish të përndjekurit politikë të diktaturës, avokatin e zjarrtë të kauzës së tyre, publicistika shqiptare, humbi një nga penat më të spikatura të saj këto 30 vitet e fundit. Shumë plane, ëndrra, synime, projekte librash, përmbushje kauzash të keqpërdorura mbetën në mes me humbjen e Nebilit”, u shpreh Bejko në mesazhin e tij të ngushëllimit për familjarët, miqtë dhe bashkëpunëtorët e gazetarit të njohur.