Ka vdekur në moshën 88-vjeçare, autori më i shitur me famë botërore, Wilbur Smith.
“Autori më i shitur global Wilbur Smith vdiq papritur këtë pasdite në shtëpinë e tij në Cape Town pas një mëngjesi leximi dhe shkrimi me gruan e tij Niso pranë”, thuhet në një deklaratë të publikuar në faqen e internetit Wilbur Smith Books, si dhe nga botuesit e tij Bonnier Books.
Gjatë karrierës së tij të gjatë, ai ka botuar 49 libra që janë shitur në 140 milionë kopje në mbarë botën.
Me 49 tituj që mbajnë autorësinë e tij, Smith u bë një emër i njohur, me historitë e aventurave rrëqethëse që i çuan lexuesit nga ishujt tropikal në xhunglat e Afrikës dhe madje edhe Egjiptin e Lashtë dhe Luftën e Dytë Botërore.
“Romanet e Wilbur Smith kanë mahnitur lexuesit për më shumë se gjysmë shekulli, duke shitur më shumë se 140 milionë kopje në mbarë botën në më shumë se tridhjetë gjuhë. Seria e tij më e shitur ‘Courtney’, më e gjata në historinë e botimit, ndjek aventurat e familjes Courtney në mbarë botën, që përfshin brezat në tre shekuj, përmes periudhave kritike nga Afrika koloniale në Luftën Civile Amerikane dhe epokën e aparteidit në Afrikën e Jugut”.
Romani i parë i Smith, “Kur luani ushqehet”, botuar në vitin 1964, ishte një bestseller i menjëhershëm dhe secili prej romaneve të tij të mëvonshëm ishte në listën e bestsellerëve, shpesh në numrin një, duke i dhënë autorit mundësinë për të udhëtuar larg e gjerë në kërkim të frymëzimit.
Smith lindi më 9 janar 1933 në Zambia dhe ishte një nga shkrimtarët më të shquar të Afrikës së Jugut në fushën e fiction-it historik. Ai është përkthyer gjerësisht dhe është shumë i lexuar edhe në Shqipëri. Mes veprave të këtij autori në shqip janë romanet: “Dhelpra e artë”, “Ligji i shkretëtirës”, “Triumfi i diellit”, “Flakët e zemërimit”, “Gjëmimi i bubullimës”, “Papirusi i shtatë”, “Engjëj që qajnë”, “Asegai”, “Perëndia e lumit” etj.
Një nga romancierët më të mirë të Afrikës së Jugut, Smith lë pas mbi 200 milionë kopje të shitura.