Lili Cingu, valltarja e njohur e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, është ndarë sot nga jeta në moshën 70-vjeçare.
Artistja e mirënjohur ishte një nga valltaret shqiptare më të mira shqiptare, e nderuar me disa tituj për karrierën e saj artistike, si “Nderi i Kombit” dhe “Mjeshtër i madh”.
Lajmin e trishtë e ka dhënë Abigeila Voshtina, drejtoreshë e Operas dhe Baletit.
“E trishtë ndarja nga jeta e “Mbretëreshës së valles shqiptare”, Lili Cingu. Për vite me radhë, ajo ishte imazhi i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, duke u dhënë jetë më shumë se 200 valleve të kërcyera prej saj. Lili Cingu i përket asaj plejade artistësh, që e ngjitën vallen shqipe në skenat më të mëdha të botës, duke treguar një Shqipëri tjetër, me kulturë dhe folklor të pasur.
Sallës së provave të Ansamblit do t’i mungojë hapi i saj i lehtë, dhe fjala e saj e ëmbël. Por kjo ikje është vetëm fizike, sepse emri i saj do të jetojë bashkë me Ansamblin, e kudo që të kërcehet vallja shqipe, do të jetë edhe kujtimi i Lili Cingut me publikun që aq shumë e deshi dhe e vlerësoi“, shkruan ajo.
“Lili”, sikurse e thërrisnin të njohurit Liljana Cingun, ishte një nga valltaret shqiptare që krijoi një personalitet tipik të sajin jo vetëm në skenë, por edhe jashtë saj.
Vitet e saj, të fshehura me hijeshi pas veshjeve elegante, tregojnë për një femër që i mbijetoi kohës falë pasionit për vallet e bukura shqiptare.