Ndaj Santiago Malkos, i ekzekutuar në një atentat mbrëmjen e së martës, dyshohet është qëlluar nga dy armë kallashnikov. Në mjetin që u dogj në kodrat e fshatit Ferraj, policia ka gjetur dy armë, si dhe 6 krehra me fishekë. Nga këta automatikë, grupi hetimor dyshon se është qëlluar në drejtim të makinës ku ndodhej 26-vjeçari.
Armët janë dërguar në laborator për t’u ekzaminuar nëse janë përdorur në ngjarje të tjera kriminale.
Prokuroria është duke verifikuar edhe telefonin personal të viktimës, për bisedat e tij dhe nëse mund të ketë material që mund të shërbejë për të hedhur dritë mbi krimin.
Në pyetje janë marrë dhjetëra persona që besoheshin se mund të kishin informacione të vlefshme për të zbuluar autorët. Por dëshmitë e tyre nuk kanë ndihmuar hetuesit. Në pyetje janë marrë dhe familjarët e 26-vjeçarit, të cilët kanë sqaruar se Malko i tyre nuk kishte probleme dhe se e kishte lënë pas jetën problematike.
Grupi hetimor deri tani nuk ka asnjë person të ndaluar. Pistat hetimore që po ndiqen janë disa dhe thuajse të gjitha lidhen me të kaluarën e ish-efektivit të policisë.
Në 2016, ai është përfshirë në një konflikt me armë më dy vëllezër për çështje borxhi. Gjithashtu sipas hetuesve, ai ka qenë i përfshirë në disa raste fajdesh. Ndërsa po verifikohet edhe përfshirja e tij në ngjarje kriminale të ndodhura në Durrës, raporton Tv Klan.