Policia e Lezhës ka vënë në pranga pronarin e një ambienti ku organizohej loja “Poker”, 38-vjeçarin me inicialet A. N., banues në fshatin Rrilë të Lezhës dhe organizatorin, 30-vjeçarin me inicialet G. K., banues në Krujë.
Të dy ata u kapën në flagrancë teksa kishin organizuar në ambientet e një lokali, në katin e dytë të një objekti trekatësh, në pronësi të 38-vjeçarit, në fshatin Rrilë, lojën e fatit “Poker”, në kundërshtim me ligjin.
Gjithashtu nisi procedimi në gjendje të lirë për 12 persona të tjerë që u kapën duke luajtur në këtë lokal, si dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një tavolinë për lojën “Poker”, letra dhe çipsa.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Lezhës, për veprime të mëtejshme.