Presidenti Ilir Meta ka reaguar me anë të një postimi në Facebook mbi protestën, e cila kishte ditën e tretë këtë të premte.
Meta shkruan se dënon dhunën e ushtruar nga policia ndaj gazetarëve, ndërsa thekson se “nuk do të lejojë instalimin e modelit “Lukashenko” në Shqipëri”. Reagimi i presidentit erdhi pas ndalimit nga policia tw kryeredaktorit të “Koha Jonë”, Qamil Xhani,
“Dënoj me forcë përsëritjen e rasteve të dhunës së shëmtuar dhe të dënueshme, të ushtruar ndaj gazetarëve, nga ana e efektivëve të caktuar të Policisë së Shtetit.
Dhunimi i kryeredaktorit të “Koha Jonë”, z.Qamil Xhani, pranë ambienteve të redaksisë dhe ndalimi i tij për disa orë, është tregues se dhuna ndaj përfaqësuesve të medias dhe shoqërisë civile është e frymëzuar dhe e organizuar në nivelet më të larta të Qeverisë dhe Policisë.
Përsëris thirrjen publike dhe e nxis Prokurorinë të reagojë menjëherë dhe të vendosë para përgjegjësisë ligjore, pa më të voglën zvarritje, frymëzuesit dhe autorët e dhunës ndaj gazetarëve dhe përfaqësuesve të medias.
I ftoj të gjitha organizatat ndërkombëtare të gazetarëve të reagojnë në mbrojtje të kolegëve të tyre në Shqipëri.
I garantoj të gjithë gazetarët e lirë dhe të pavarur se, nuk do të lejoj kurrë instalimin e modelit Lukashenko në Shqipëri”, shkruan Meta në Facebook.