Ndarja para kohe nga jeta e ikonës së basketbollit, Arben Fagu, ka sjellë reagimin e kryeministrit Edi Rama. Rama thotë se me vdekjen e Fagut është zbrazur mesi i fushës së kujtimeve të kohës kur ai drejtonte skuadrën e Dinamos. Kryeministri Rama u shpreh ngushëllime familjarëve të tij. Ai falenderon veprimtarinë e Fagut dhe thotë se ikona e basketbollit nuk ka kërkuar asgjë tjetër përveç respektit plotësisht të merituar.
“Sot kujtoj me mallëngjim pikërisht të qeshurën e tij prej njeriu tejet të çiltër dhe nuk e besoj dot që Ben Fagu s’është më! As e imagjinoj asfare hiç dot dhimbjen e Gimit e të krejt asaj familjeje të dinjitetshme e shumë të respektuar për mua, por duke shprehur ngushëllimet e mia më të ndjera për mikun e trajnerin tim të paharruar, lutem që prehja e tij të jetë e paqtë dhe kujtimi i tij qoftë gjithnjë i paharrueshëm! Përqafime Ben dhe faleminderit për çka na dhe e dhe gjithmonë pa kursim për sportin e për shokët, duke mos kërkuar kurrë asgjë përveç respektit plotësisht të merituar”, shkruan Rama.
Ndër të tjera, kryeministri Edi Rama kujton ambicien që Arben Fagu solli tek Dinamo dhe marrëdhënies së ngushtë që krijonte ai me lojtarët.
“Beni ishte vëllai i vogël i diktatorit kuqezi të parketit shqiptar, Gim Fagut, i cili e ktheu Partizanin në makinerinë shtypëse të kampionateve shqiptare dhe magjepsi çdo kundërshtar e trajner të huaj, që vinte nga bota tjetër për t’u ndeshur me të kuqtë e Tiranës, në eliminatoret e kupës së kampionëve të Europës. Hija e Gimit qe shtypëse për këdo që luante në kampionatin e basketbollit, po sidomos për Benin, i cili ishte i dënuar të krahasohej gjithnjë me të vëllain e paarritshëm. Një dëmtim në gju e shpëtoi në njëfarë mënyre nga presioni i atij krahasimi, duke e nxjerrë nga fusha dhe duke e çuar drejt stolit të trainerit, në anën tjetër të frontit të luftës me tiraninë e Partizanit, në kohën kur fronin e kishte trashëguar nga Gim Fagu, një uzurpator i të katër anëve të fushës, Gaz Çaçi! Ben Fagu solli tek Dinamo të gjithë fuqinë e ambicies, vullnetit dhe ndershmërisë që i kishte bërë vëllezërit Fagu, djemtë e të mirënjohurit për lartësinë burrërore, Besim Fagu, shembëlltyra të dinjitetit e të respektit në bashkësinë sportive e sportdashëse të Shqipërisë. Beni solli në skuadër entuziazëm dhe dëshirë të madhe për ta përmbysur më në fund diktaturën e Partizanit – çka nuk arritëm ta realizonim edhe pse i shkuam shumë afër. Stërvitjet u bënë shumë intensive dhe marrëdhëniet në skuadër shumë të mira, falë edhe qasjes së Benit, që nxehej shpesh brenda perimetrit të fushës, po çelej e bëhej një shok i dashur sapo binte bilbili i përfundimit të stërvitjes”.