Vdekja e papritur e ish-deputetit demokrat Gerti Bogdani, ka bërë që të shtyhet seanca plenare e parashikuar për t’u zhvilluar këtë të enjte. Kuvendi ka vendosur që nesër të zhvillohen homazhe në nder të ish-deputetit Gert Bogdani.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, u nda nga jeta këtë të mërkurë në moshën 44-vjeçare. Bogdani pësoi infarkt dhe u transportua me urgjencë për në Qendrën Spitalore Nënë Tereza Spital, por nuk ia doli.
Në një njoftim zyrtar, Policia e Tiranës tha se Bogdani u gjet pa ndjenja, rreth orës 11:30, në ambientet e një hoteli në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Kush ishte Gerti Bogdani?
I lindur në Tiranë më 1980 dhe i diplomuar në Universitetin Politeknik të Nju-Jorkut, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bogdani nis angazhimin në politikë në vitin 2005.
Në vitin 2007, nis detyrën si Sekretar i Marrëdhënieve me Jashtë i PD, detyrë që mbajti deri në vitin 2019. Po në vitin 2007 kandidoi në Zgjedhjet Vendore, duke u zgjedhur kryetar i Minibashkisë numër 10 në kryeqytet.
Në vitin 2009, Gerti Bogdani, kandidoi në Zgjedhjet Parlamentare të 28 qershorit 2009 dhe zgjidhet deputeti më i ri në Kuvendin e Shqipërisë. Në vitin 2013 fiton një mandat të dytë si deputet i PD. Gjatë dy mandateve parlamentare shërben në komisionin e Integrimit Europian dhe në komisionin e Medias.
Bogdani ishte martuar me aktivisten Edlira Çepani dhe kishte dy fëmijë.