Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka shprehur sot ngushëllimet me rastin e ndarjes nga jeta të ish-deputetit Maksim Cikuli.
“Me dëshpërim mora vesh lajmin për ndarjen nga jeta të profesorit Maksim Cikuli, këtij personaliteti të shquar të mjekësisë dhe shkencës shqiptare”, është shprehur Ruçi.
“Si deputet i Kuvendit të Shqipërisë gjatë viteve 1996-2001, Maksim Cikuli ka treguar vizion, përgjegjësi, profesionalizëm dhe përkushtim të lartë prej legjislatori për mbështetjen e zhvillimit të mjekësisë dhe të shërbimit shëndetësor në Shqipëri si edhe për shërbimin ndaj qytetarëve”, ka theksuar Ruçi.
“Gjatë gjithë jetës së tij, Profesor Cikuli ka shërbyer me korrektesë e devotshmëri dhe me virtytet e larta profesionale e njerëzore ka fituar respektin dhe mirënjohjen e qytetarëve të Shqipërisë”, ka shtuar Ruçi.
“Deputeti Maksim Cikuli do të mbetet përgjithmonë në kujtesën time si një koleg, ligjvënës dhe qytetar shembullor dhe referencë për shkencëtarët, politikanët dhe deputetët e Shqipërisë. Ngushëllimet e mia të sinqerta familjes dhe gjithë të afërmve”, shkruan Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, në mesazhin e ngushëllimit me rastin e ndarjes nga jeta të ish-deputetit, Maksim Cikuli.