Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në homazhet që po bëhen në nder të mjekut të shquar Ilir Ohri, i cili u nda nga jeta mbrëmjen e së enjtes. Kreu i qeverisë, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale thotë se e ka pasur privilegj që pati mundësinë të njihte dhe të bisedonte me profesorin Ohri.
“Ilir Ohri ishte më i miri nga ne, thonë njëzëri kolegët e tij. Sot profesori i shumërespektuar, u nis për në banesën e fundit. Ishte një privilegj që pata mundësinë ta njoh dhe të bisedoj me të. Ngushëllime familjes, kolegëve, mjekëve e studentëve që humbën sot një mik dhe një pikë referimi në botën e mjekësisë shqiptare”, shkruan Rama.
Ohri ka qenë një prej figurave më të shquara të shërbimit të anestezi-reanimacionit dhe tё mjekësisë shqiptare. Ai ka dhënë prej më shumë se 40 vitesh një kontribut të veçantë dhe të jashtëzakonshëm në zhvillimin e këtij shërbimi në vendin tonë. Ohri ishte një nga themeluesit e shërbimit modern të anestezi-reanimacionit dhe drejtues i tij prej 30 vitesh.
Profesor Ilir Ohri ka lënë gjurmën e tij në ngritjen, funksionimin dhe perfeksionimin e të gjitha njësive të reanimacionit në Tiranë e në mbarë vendin. Ai bën pjesë në bërthamën e shkëlqyer të mjekëve, që themeluan Shkollën e Anestezi-Reanimacionit që në gjysmën e parë të viteve ’80.
Ai i ka ndarë pa kursim dijet e tij të gjera ndër vite, me qindra mjekë anestezistë, të cilët i janë mirënjohës dhe janë krenarë, që kanë qenë nxënës të tij.