Partia Demokratike iu bashkua të mërkurën qëndrimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim kundër ligjit për zhvillimin e rajoneve, ligj që sipas saj dobëson qeverisjen vendore dhe ka synime elektorale më shumë se sa shërbimin ndaj qytetarëve.
Opozita thotë se përmes një ligji të ri, Rama po kërkon të ndajë vendin në 4 vilajete, duke marrë kompetencat e qarkut.
“Në muajt e fundit të qeverisjes, Ed Rama po thellon politikën e përqendrimit të të gjitha pushteteve në duart e tij. Miratimi i ligjit që ndan Shqipërinë në 4 rajone është kundër interesit të qytetarëve. Pas reformës së dështuar për ndarjen e Shqipërisë në 61 bashki, ky ligj largon akoma më shumë shërbimet nga njerëzit.
Qytetarët e 57 bashkive të vendit duhet të shkojnë deri në 1 nga 4 bashkitë qendër rajoni, për të marrë një shërbim të caktuar. Kjo do ta bëjë edhe më të vështirë sesa tani komunikimin mes pushtetit lokal dhe qytetarëve. Në këtë mënyrë qeveria centralizon pushtetin me të emëruarit e saj, duke dëmtuar rëndë interesin publik”, tha ish-deputetja e PD, Dhurata Çupi.
PD thotë se ligji për zhvillimin e rajoneve sjell centralizimin e pushtetit dhe fondet e Bashkimit Evropian në duart e kryeministrit.
Më herët gjatë së mërkurës LSI e akuzoi qeverinë se po kërkon t’i rrëmbejë kompetencat pushtetit lokal dhe të formojë “4 vilajete”. Në një dalje për shtyp, nënkryetari i saj Petrit Vasili argumentoi se ligji është në shkelje të Kushtetutës.
“Ky ligj sipas të cilit ndërtohen 4 rajone të reja apo 4 rajone në të cilat ndahet e gjithë Shqipëria është një vendim vetëm i qeverisë shqiptare. Edi Rama me të tijtë vendos që të ndajë Shqipërinë në 4 vilajete, apo 4 çifligje, të cilat qeverisen nga një dorë vetëm nga qeveria. Pra ndan Shqipërinë në 4 vilajete apo 4 çifligje. Çfarë do të thotë me fjalë të thjeshta? Do të thotë pushtim nga qeveria i pushtetit lokal. Sepse këto rajone i mbivendosen dhe i rrëmbejnë kompetencat qarqeve të cilët janë të përcaktuar qartësisht në kushtetutën e Shqipërisë e ku ndodhen atje edhe sot e kësaj dite. Pasi flitet shumë qartë që njësitë e qeverisjes vendore, në nenin 108 të Kushtetutës, janë komunat ose bashkitë dhe qarqet. Kufijtë e tyre thotë neni 108 pika 2, nuk mund të ndryshohen pa u marrë më parë mendimi i popullsisë që banon në to. Dhe çfarë ka ndodhur, me një ligj të thjeshtë që mund të miratohet edhe me 36 vota, i rrëmbehen kompetencat e zhbëhet një autoritet lokal i zgjedhur siç është qarku. Pra autoriteti i zgjedhur lokal, që zgjidhet nga votuesit, nga shqiptarët, u rrëmbehet kompetenca dhe i jepet qeverisë e cila ngre institucionet e veta, qarqet e veta, vilajetet e veta, pashallëqet e veta”, tha nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili.
Ligji për zhvillimin rajonal dhe kohezionin u depozitua në parlament më 25 qershor dhe u miratua bashkë me ndryshimet kushtetuese në seancën e 30 korrikut.
Në Nenin 4 të këtij ligji, thuhet se “rajonet e zhvillimit janë territore, për të cilat hartohet, zbatohet dhe vlerësohet politika kombëtare për zhvillimin dhe kohezionin rajonal. Rajonet e zhvillimit nuk janë njësi administrative në kuptim të legjislacionit në fuqi për vetëqeverisjen vendore”.