Taulant Balla ka bërë bilancin e 380 ditëve punë si ministër i Brendshëm.
Në një video të postuar në rrjetet sociale, Balla e konsideroi nder të madh të shërbente si Ministër i Brendshëm.
Balla përmendi sigurimin e benefiteve për punonjësit e Policisë së Shtetit, duke i cilësuar si hapat e duhur drejt një trajtimi të denjë për këtë sektor.
Ai po ashtu listoi bashkëpunimin me agjencitë ndërkombëtare ligjzbatuese dhe ministritë e huaja, duke sjellë gjetjen dhe ekstradimin e personave “me hesape të hapura me drejtësinë”.
“Ishte një nder i madh për mua të shërbeja si ministër i Brendshëm ku u mundova të krijoja një frymë skuadre me të gjithë për të përmbushur objektivat në këtë sektor. I qëndrova bindjes se kisha nderin për të udhëhequr duke dëgjuar, mbështetur dhe duke mësuar prej tyre duke zbritur në çdo nivel të kësaj ministrie, në çdo zyrë e komisariat nga Vermoshi në Konispol.
Rritja e pagës brenda mundësive të buxhetit për efektivët e policisë, pagesa e ushqimit, orëve shtesë dhe kreditë e buta për banim mendoj se ishin hapat e duhur drejt një trajtimi sa më të drejtë për policinë, AMP, gardën dhe shërbimin zjarrfikës. I qëndrova angazhimit të ditës së parë.
Jam krenar që ligji i ri i policisë së shtetit do t’i hapë rrugën karrierës së bazuar në meritë e përkushtim dhe do të vlerësojë si duhet uniformën e respektuar të policit shqiptar. Sa i përket reformave legjislative bëmë një hap të madh me miratimin e ligjit për sistemin e ri të adresave, gjendjes civile. Rezultatet e arritura në këto 380 ditë nuk munguan në shumë prej fushave të përgjegjësisë së ministrit të Brendshëm. Mund të kishin qenë edhe më të mira, por rezultatet e dukshme janë ato në lidhje me rendin publik.
Forcuam bashkëpunimin me Europol, Interpol dhe ministritë dhe policitë e vendeve partnere duke kulmuar me konferencën e Interpol në Tiranë. Sa shumë persona me hesape të hapura me drejtësinë u gjetën dhe janë në proces apo u ekstraduan, provë e revanshit kundër pandëshkueshmërisë”, shprehet Balla mes të tjerash.