Jetesa në Shqipëri është e kushtueshme dhe në vijim pritet një trend rritës i kostove! Për vitin 2021 kostot e jetesës në vendin tonë do të jenë 3.8 pikë përqindje më e lartë se në vitin 2020. Sipas një studimi të fundit, të kryer nga portali global i të dhënave mbi çmimet kudo në botë, Numbeo, publikuar në Monitor.al, Shqipëria është një ndër vendet me jetesën më të shtrenjtë në rajon.
Nga 131 vendet e listuara, vendi ynë u rendit në vendin e 89 dhe në raport me 2020-ën Shqipëria u ngjit në renditje me 6 vende.
Në një krahasim tjetër një qytetar Amerikan që jeton në New York merr të njëjtat shërbime në Shqipëri duke shpenzuar 60 për qind më pak. Ndonëse kostot e jetesës po rriten, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për të ardhurat, dukuri e cila krijon ngërçin e parë ekonomik.
Përsa i përket vendeve të rajonit, vendi ynë dhe Mali i Zi janë dy me kostot më të larta të jetesës, ndërsa ato më të lirat janë Serbia, Bosnja dhe Maqedonia, ndërkohë që të ardhurat mesatare janë të paktën 30% më të larta se ato të shqiptarëve.
Sipas Numbeo-s, Tirana është qyteti me koston më të lartë të jetesës në Shqipëri me gati 18 pikë për qind më shumë së mesatarja kombëtare. Në kryeqytet kosto e jetesës është 58 % e kostos së Nju Jorkut.
Një familje me katër persona në Tiranë, pa qiranë ka një kosto mujore jetese 182 mijë lekë, ndërsa një person i vetëm ka një kosto mujore 51 mijë e 700 lekë, pa qiranë.