Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka bërë të ditur se Greqia dhe Turqia kanë rënë dakord për t’u ulur në një tryezë të përbashkët pas tensioneve në Mesdheun Lindor.
Në një deklaratë, thuhet se Stoltenberg kishte biseduar me Erdogan dhe Mitsotakis dhe është vendosur ulja në tavolinë për gjetjen e një zgjidhjeje për konfliktin mes dy palëve.
“Pas diskutimeve me liderët në Greqi dhe Turqi, dy aleatët kanë pranuar që të hyjnë në bisedime teknike në NATO për të vendosur mekanizmin për ç’tensionuar konfliktin ushtarak dhe për të reduktuar rrezikun e incidenteve apo aksidente në Mesdheun Lindor. Greqia dhe Turqia janë aleatë me vlera dhe NATO është një platformë e rëndësishme për konsultime për të gjitha çështjet që ndikojnë në sigurinë tonë të përbashkët”, thuhet në deklaratën e NATO-s.
Tensionet mes Greqisë dhe Turqisë janë shtuar tej mase gjatë muajit Gusht kur Ankaraja vendosi të dërgojë në Mesdheun Lindor një anije sondë për të zbuluar gaz dhe naftë. Athina pretendon se Turqia ka hyrë në zonën e saj ekskluzive, ndërsa Ankaraja thotë se është në të drejtën dhe në territorin e saj.