Kosova Ndërkombëtarët urojnë qeverinë e re në Kosovë, kërkojnë rifillimin e dialogut me...

Ndërkombëtarët urojnë qeverinë e re në Kosovë, kërkojnë rifillimin e dialogut me Serbinë

Krerët e përfaqësive kryesore diplomatike në Prishtinë përshëndetën formimin e qeverisë së re në Kosovë dhe shprehën gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar sa më parë me institucionet e reja.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett shprehu angazhimin për të qenë në krah të Kosovës për ta ndihmuar të ndërtojë marrëdhënie paqësore me fqinjët.

“Urime për formimin e qeverisë së re. Mezi pres të punoj me të gjitha institucionet e Kosovës, palët tjera, dhe palët e interesuara të shoqërisë civile për forcuar drejtësinë dhe prosperitetin dhe për të ndihmuar Kosovën të ndërtojë marrëdhënie paqësore me fqinjët e saj”, shkruan ambasadori Kosnett në Twitter.

Ndërsa në reagimin e ambasadës gjermanë, përveç urimit për qeverinë e re dhe anëtarët e saj vihet re dhe kërkesa që kjo përfaqësi diplomatike i bën kabinetit të ri dhe kryeministrit Kurti për të rifilluar sa më parë dialogun me Serbinë.

“Urime Qeverisë së re të Kosovës për themelimin e saj në seancën e sotme të Kuvendit! Si partner i gjatë i institucioneve të Kosovës, ambasada gjermane mezi pret të vazhdojë bashkëpunimin tonë, të mbështesë shtetin e ligjit në Kosovë dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Ne inkurajojmë qeverinë e re të nisë zbatimin e axhendës së saj ambicioze të reformës për këtë vend dhe të rifillojë dialogun me Serbinë në një proces negociatash të strukturuar mirë të lehtësuar nga BE. Për të gjitha këto procese vendimtare, si të brendshme ashtu edhe të jashtme, Gjermania është gati të mbështesë Qeverinë e Kosovës dhe për popullin e Kosovës”, shkruhet në deklaratën e ambasadës gjermane.

Formimin e qeverisë së re e përgëzoi edhe ambasada britanike.

“Është një rrugë e rëndë përpara për administratën e re, duhet të adresohen çështje urgjente, duke përfshirë buxhetin shtetëror për vitin 2020, vendimet e bllokuara administrative dhe sundimin e ligjit. Me 6 tetor, Kosovarët votuan për ndryshim. Qeveria e re duhet të tregojë guxim dhe kreativitet në implementimin e dëshirave të votuesve dhe shpresave të gjithë kosovarëve”, u shpreh ambasadori Nicholas Abbott.