Shtatë sportistë të talentuar shqiptarë, kampionë bote dhe Europe, të cilët kanë përfaqësuar Shqipërinë me dinjitet të lartë në disiplina si peshëngritje, ski, mundje, boks, bilardo e bodybuilding, u nderuan sot nga kryeministri Edi Rama me medaljen e Yllit të Madh të Mirënjohjes Publike si shprehje e respektit dhe mirënjohjes ndaj punës dhe përkushtimit të tyre në sport.
Kryeministri Rama i mikpriti sportistët në një ceremoni të posaçme të zhvilluar në sallën e hartave në Kryeministri, ku iu dorëzoi atyre medaljet e mirënjohjes, respektivisht “Ylli i Madh i Mirënjohjes Publike” për peshëngritësit Briken Calja e Erkand Qerimaj dhe mundësin Zelimkhan Abakarov.
Ndërsa “Ylli i Mirënjohjes Publike” për Eklent Kaçin, skiatoren Lara Colturi, boksierin Alban Beqirin dhe bodybuilding Gentiana Beqa.
Kryeministri tha se në aspektin e vlerësimeve për sportistët që marrin tituj, qeveria ka një politikë financiare që praktikisht i fut sportistët elitarë në nivelin e parë europian për sa i përket mbështetjes financiare, ndërsa theksoi se në vijim, do të shtohet edhe një mbështetje për periudhën stërvitore speciale, për t’u dhënë mundësinë këtyre sportistëve që të stërviten në kushte optimale, së bashku me trajnerët e tyre për gjithë periudhat e nevojshme.