Pas një ndërprerjeje disa orëshe të energjisë elektrike në pjesën perëndimore të lagjes së Manhatanit, në qytetin e Nju Jorkut, zyrtarët e thanë se energjia u rikthye pak para mesnatës të së shtunës. Kompania shpërndarëse e energjisë “Con Edison” tha se rreth 72 mijë konsumatorë dhe biznese kishin mbetur pa energji elektrike që rreth orës 7 të mbrëmjes sipas orës lokale, veç të tjerash duke ngritur edhe shqetësime për sigurinë në qytetin gjigand.
Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo, tha se ndërprerja e energjisë elektrike nuk ishte si rezultat i infrastrukturës së vjetëruar. Por ishte diçka e papranueshme.
“Duhet të kemi një sistem që është projektuar për të trajtuar ndërprerjet, në vend të një sistemi që ka efektin domino. Duhet të kemi teprica në sistem që të mos ndodhë ndërprerja. Thjesht, nuk mund të kemi ndërprerje energjie të këtyre përmasave. Ekziston një mundësi e madhe rreziku për sigurinë publike dhe kaos në qytet”, tha ai.
Zoti Cuomo tha se Departamenti i Shërbimit Publik do të zhvillojë hetime për rastin. Ai vlerësoi banorët e qytetit për ndihmën e dhënë njëri-tjetrit ndërsa qytetin e kishte mbuluar errësira.
Ndërprerja e energjisë bëri që artistët të linin skenën në Broadway dhe të interpretonin në bulevardin e mbushur me njerëz. Koncerti i artistes Jennifer Lopez në Madison Square Garden sapo kishte filluar kur u ndërpre energjia dhe u anulua pas vetëm katër këngësh.
42 vite më parë qyteti i Nju Jorkut u zhyt në errësirë pas ndërprerjes së energjisë elektrike ndërsa vendi kalonte një valë të nxehti.