Në fjalimin e tij gjatë mbrëmjes tradicionale të fundvitit me përfaqësuesit e trupit diplomatik në Shqipëri, kryeministri Edi Rama foli edhe për marrëdhëniet me Iranin. Këtë vit, ndryshe nga të kaluarit, mungonte ambasadori iranian dhe kryeministri tha se shkëputja e marrëdhënieve për shkak të sulmit kibernetik të Iranit ndaj Shqipërisë nuk ishte vendim i lehtë. Ai përshëndeti edhe protestën e vajzave iraniane kundër regjimit.
“Si të mos mjaftonin të gjitha barrat e krizës shkaktuar nga agresioni rus kundër Ukrainës dhe ekonomive tona, Shqipëria vuajti dhe një sulm të rëndë kibernetik nga Republika Islamike e Iranit. Falë faktit se kishim një nivel të caktuar gatishmërie dhe falë, së pari dhe mbi të gjitha, miqve tanë amerikanë që erdhën e luftuan me ne në llogore për javë të tëra, sulmi nuk ia doli të arrinte objektivin e tmerrshëm për të shkatërruar tërësisht infrastrukturën tonë dixhitale, për të fshirë të gjitha të dhënat tona dixhitale.
Nuk më jep asnjë kënaqësi që të mos i uroja mirëseradhjen sot ambasadorit iranian. Ishte me ne vitin e kaluar kur patëm të njëjtin takim të fundvitit dhe ndërprerja e lidhjeve tona diplomatike me Iranin nuk ishte një vendim që e morëm lehtë. Irani është një komb i madh, me një kulturë të madhe dhe dua të përshëndes këtu sot, me admirim të plotë, kurajën që po i tregojnë botës vajzat dhe gratë iraniane duke luftuar për të kthyer në fytyrën e tyre dritën e diellit të marrë peng nga një epokë errësire.
Dëshiroj fort që më mirë shpejt sesa vonë, në një mënyrë apo në një tjetër, të fillojmë të rindërtojmë urën e shkëputur midis dy vendeve tona. Ndërkohë, nuk mund të mos i gëzohem faktit se urat tona me Emiratet e Bashkuara Arabe, me Arabinë Saudite dhe Azerbajxhanin u forcuan shumë këtë vit dhe dua të falenderoj nga zemra udhëheqësit e këtyre vendeve, të cilët jo vetëm më kanë ofruar me bujari miqësinë e tyre të veçantë, por kanë manifestuar përveçse me fjalë edhe me vepra interesin e tyre të mirëfilltë për t’i sjellë marrëdhëniet e tyre me Shqipërinë në një nivel tjetër”, tha Rama.