Duke nisur nga data 1 Mars ndërrimi i pronësisë së automjeteve do të mund të kryhet edhe në sportelet e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugore.
Ky shërbim i ri do të kushtojë 1400 lekë, përkundrejt aktit noterial që kushton dyfishin. Kjo tarifë nuk përfshin vërtetimin e RBS-së.
Sipas kësaj drejtorie, ky shërbim do të mundësojë eliminimin e sorollatjeve, ndërsa pritet të shoqërohet edhe me lehtësim të procedurave të Kontrollit Fizik. Blerësi i një automjeti do të pajisjet me leje qarkullimi provizore, derisa shërbimi të mundësojë edhe transferimin e dosjeve, për ta bërë gjithçka me një aplikim të vetëm.
Kjo risi pritet të ulë disi fluksin nëpër zyrat noteriale dhe vjen 3 vite pasi me udhëzim të ministrave iu lejua noterëve aksesi në sistemin e DPSHTRR, në mënyrë që të kontrollonin nëse makina që po shitet është peng në bankë, apo ka detyrime të tjera.