Detaje të reja kanë dalë në lidhje me vdekjen e 34-vjeçares Etleva Çullhaj në Maternitetin e Elbasanit, e cila ndërroi jetë disa orë pasi kishte kryer një procedurë aborti në këtë spital.
Paraprakisht ekspertiza ka nxjerrë rezultatet se vdekja e 34-vjeçares është shkaktuar si pasojë e një tromboemboliti, ose siç njihet ndryshe mpiksje gjaku.
Mjeku gjinekolog si dhe ai reanimator që e trajtuan gruan u shoqëruan në polici për t’u marrë në pyetje dhe më pas janë lënë të lirë.
Nëna e dy fëmijëve prej kohësh punonte në Elbasan, ku merrte lokale të vogla me qira. Trupi i saj ka shkuar në Baldushk të Tiranës ku banojnë prindërit e saj, vend në të cilin do të zhvillohet dhe ceremonia mortore.
Aktualisht, oficerët e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë së Elbasanit kanë nisur procedim penal ndaj dy mjekëve të Maternitetit A. P., 56 vjeç dhe B. Gj., 60 vjeç për veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”.