32-vjeçari Genti Isai ndërroi jetë një ditë më parë pas shqetësimeve që kishte pasur me dhëmballën për të cilën kishte marrë edhe një mjekim. Për rastin e rëndë janë marrë deklarimet e stomatologut dhe të familjarëve, ndërsa pritet një raport paraprak nga ana e mjekut ligjor për të mësuar shkakun e vdekjes.
Nga ana e familjes, deri tani, nuk është bërë denoncim për neglizhencë apo mjekim të pakujdesshëm.
Ndërsa kushëriri i 32-vjeçarit, Blerti Shabani, është shprehur se ai nuk vuante nga asnjë sëmundje tjetër më parë, ndërsa kërkon të zbardhen shkaqet e vdekjes.
“Prej tre ditësh kishte dhimbje të dhëmballës. Ishte ënjtur dhe enjtja i kishte kaluar edhe në qafë. Dje shkoi në Ersekë te një dentist dhe mori mjekime. Shkoi në shtëpi dhe pas disa orësh e ëma e gjeti pa ndjenja në divan. Menjëherë lajmëroi bashkëfshatarët, të cilët e morën ta transportonin me makinë për në spitalin e Ersekës. Duam të zbardhet e vërteta dhe të dimë nga çfarë vdiq. Ai ishte i shëndetshëm dhe nuk vuante nga asnjë sëmundje. Dyshojmë që mund t’i kenë bërë reaksion antibiotikët që piu për infeksionin e dhëmballës”, është shprehur kushëriri i Genti Isait.
Burime nga spitali bëjnë më dije se 32-vjeçari ka patur probleme prej ditësh me dhëmballën. Infeksioni i ka prekur të gjithë gojën dhe një pjesë të organeve. Fakti që s’është mjekuar më parë, ka agravuar shumë gjendjen shëndetësore, ka qenë në një gradë që nuk i shpëtohej dot jeta. Infeksioni i madh në organe dhe në gjak ka sjellë vdekjen e 32-vjeçarit.
Ndërkohë, Dashamir Isai, babai i 32-vjeçarit, është shprehur se djalin e kanë gjetur pa ndjenja rreth orës 04:00 të mëngjesit.
“Djali prej 3 ditësh kishte dhimbje dhëmballe dhe ka shkuar te dentisti në qytetin e Ersekës. Dy ditë më parë, djali shkoi e mjekoi dhëmballën, por kishte përsëri dhimbje dhe shkoi përsëri dje paradite. Dhimbja e dhëmballës i kishte shkaktuar ënjtje dhe kishte dhimbje të saj. Mjeku i ka dhënë disa ilaçe dhe ai i ka pirë. Këto medikamente i kanë sjellë djersitje dhe këputje pasi i ka konsumuar. Dje djali pasi ka ardhur në shtëpi është shtirë dhe e gjetëm në orën 4 në gjendje të fikti. Menjëherë e kemi nisur me një mjet drejt Ersekës. Kur shkuam në spital doktori me tha se djali kishte vdekur. Nuk e di nëse ka qenë mjekim i gabuar apo erdhi nga zoti”, ka thënë babai i 32-vjeçarit.