21-vjeçari Aldi Rama, i cili vrau oficerin e Krimeve në Policinë e Lezhës, Saimir Hoxha, ka ndërruar jetë mëngjesin e së mërkurës në spitalin e Traumës në Tiranë.
Rama ka ndërruar jetë rreth orës 5:30 pasi kishte marrë plagë të rënda në kokë si pasojë e vetëplagosjes.
Rreth orës 10:30 të së martës, një grup i Policisë së Lezhës po bënte një kontroll në Ishull Lezhë, në zonën e mbrojtur Laguna e Vainit, kur ka pikasur një automjet të dyshimtë.
Grupi i policisë prej 3 vetash, e ka ndalur automjetin, ndërsa menjëherë ka ndodhur edhe shkrepja e armës, ku plumbi në zemër është qëlluar drejt oficerit të Krimeve Saimir Hoxha, 44 vjeç, i cili u nis menjëherë për në spital, por ndërroi jetë.
Pas ngjarjes, Aldi Rama u largua me një automjet. Në kërkim të tij u vunë forcat RENEA dhe FNSH. Prej disa orësh ai qëndroi i fshehur mes bimësisë në zonën e pyllëzuar, por pasi u rrethua nga forca të shumta policie tentoi të vetëvritej me armë.
Rama ka qenë i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta.
Oficeri i Krimeve, Saimir Hoxha, ishte baba i dy fëmijëve. Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, deklaroi pas ngjarjes së rëndë se kanë nisur procedurat për shpalljen e oficerit Saimir Hoxha “Dëshmor i Atdheut”, duke i siguruar atij dhe familjes së tij të gjithë vëmendjen dhe mbështetjen e dhënë me ligj të posaçëm.