Një nga mitet e Interit të madh të Herreras që fitoi disa kampionate dhe dy Kupa Kampionesh në vitet ’60 u shua sot në moshën 78-vjeçare.
Bëhet fjalë për Mario Corso, që të gjithë thërrisnin Mariolino dhe që për një dekadë ka qenë një nga protagonistët e futbollit botëror, dhe nga “mëngjarashët” më të njohur në historinë e futbollit.
Corso ishte padyshim elementi më teknik i një ekipi të fortë, me emra të njohur si Facchetti, Picchi, Jair, Mazzola dhe Suarez. Të famshme ishin goditjet e tij të dënimit, me një teknikë që pikërisht nga Corso filluan të quheshin “gjethe e vdekur”, me topin që pothuajse pa u rrotulluar ulet pak para se të përfundoi në rrjetë, pa i lënë shpresë portierit, dhe që do të imitohej dekada më vonë nga specialistë si Andrea Pirlo.
Shpesh herë izolohej nga loja, dhe jo gjithmonë shokët e ekipit sakrifikonin për të. Ndërkohë që kjo mund të ndodhte me Interin, shokët e Kombëtares italiane nuk e toleronin, dhe kjo bëri që mos të kishte fat me fanellën e përfaqësueses.
Por Corso ishte një lojtarë që në ato vite ende nuk kuptohej tërësisht, një futbollist modern që në fushën e blertë prodhonte art, më shumë se kilometra. Teknika e tij ishte e tillë që thuhet se vetë “mbreti” Pele kishte deklaruar se po të mundej do ta merrte tek Selacao.
Në 16 vjet me Interin, Corso fiton gjithsesi 4 kampionate, dy Kupa Kampionësh (dhe një finale të humbur kundër Celtik) dhe dy Kupa Interkontinentale. Në 1986 mbajti edhe vendin e trajnerit të Interit, por nuk u konfirmua pas një sezoni të dobët. Por për tifozët zikaltër, ai do të mbetet përgjithmonë ”Këmba e majtë e Zotit”.