Ka ndërruar jetë, në moshën 53-vjeçare, dekani i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Profesor Doktor Artur Sula, për shkak të një hemorragjie cerebrale.
Sula mbante edhe postin e këshilltarit bashkiak në Bashkinë e Tiranës.
I lindur në Tiranë në vitin 1968, Sula mbrojti doktoraturën në vitin 2007, ndërsa ka kryer edhe një Master në Administrim Publik në Universitetin e Nebraskës, në SHBA.
Nuk munguan edhe ngushëllimet e miqve dhe kolegëve të tij në këtë ditë të trishtë për familjen Sula.
“Vendose të ikësh shpejt, për të lënë pas kujtimin e një shoku e miku të mirë që koha e jeta nuk e ndryshoi kurrë deri në orën e fundit”, shkroi miku i tij i gjimnazit dhe anëtari i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku.
“Shumë i ri për ta humbur familja, shumë ambicioz për të ikur nga drejtimi i Fakultetit të Gjuhëve të huaja, shumë e padrejtë mbyllja këtu e rrugëtimit premtues të dekanit. Lamtumirë shok i dashur!”, shkroi ish-ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.