Gate Mahmutaj, i konsideruar si kreu i grupit të Lazaratit në vitin 2014, ka ndërruar jetë për shkak të një sëmundje të rëndë.
53-vjeçari kishte dalë nga qelia më datë 14 tetor 2021. Ai ishte liruar me kusht pasi kishte kryer pjesën më të madhe të dënimit dhe ditët e fundit ka qenë i shtruar në një spital privat për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.
Gate Mahmutaj ishte dënuar me 18 vite burgim për akuzat e mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit, prodhim e shitje të lëndëve narkotike dhe kultivim të bimëve narkotike.
Por 53-vjeçari kishte përfituar nga gjykimi i shkurtuar dhe do të vuante përfundimisht 12 vite burg. Ai ishte arrestuar në Qershor të vitit 2014 duke u vetëdorëzuar në polici.
Gate Mahmutaj u arrestua së bashku me disa persona të tjerë gjatë operacionit të Policisë së Shtetit në Lazarat në Qershor 2014, për të eliminuar kultivimin e kanabisit në këtë fshat. Bashkë me Gate Mahmutajn në atë kohë u arrestua edhe djali i tij, Vandam Mahmutaj.