Manolis Glezos, veterani ikonë i të majtës greke dhe luftëtari i rezistencës antifashiste ka ndërruar jetë në moshën 98-vjeçare.
Glezos lindi më 9 shtator 1922 në Naxos Apeiranthos.
Ai ishte një politikan i majtë, hero i Rezistencës Kombëtare, gjithashtu gazetar dhe shkrimtar.
Ai është i njohur më së miri për rrëzimin e flamurit nazist nga Akropoli në 1941, pasi forcat okupuese gjermane pushtuan Athinën.
Glezos ishte aktiv në politikë deri në frymën e fundit, duke bërë fushatë të ashpër kundër masave shtrënguese të imponuara Greqisë gjatë krizës së saj financiare.
Në qershor 2012, ai u zgjodh si deputet me të majtën SYRIZA, ndërsa dy vite më vonë fitoi një vend në Parlamentin Europian.
Në moshën 91-vjeçare, ai ishte edhe personi më i vjetër i zgjedhur në Parlamentin Europian në ato zgjedhje.
Fjalimi për shqiptarët
Ish deputeti arvanitas njihej edhe për qëndrimet e tij liberale ndaj emigrantëve dhe fqinjëve të Greqisë, ndërkohë që pesë vite më parë mbajti një fjalim të fortë në Parlamentin e Greqisë duke thënë se të paktën 13 deputetë kishin prejardhje shqiptare duke qenë arvanitas.
Në fjalën e tij, Glezos pyeti kreun e Parlamentit grek nëse ishte i sigurt që ishte grek pasi mbiemri i tij ishte arvanitas.
“Ne jemi fqinj (me shqiptarët), gruan mund ta largosh nga shtëpia, edhe djalin mund ta largosh, por fqinjin jo”, u shpreh ai ndër të tjera në atë fjalim që mbetet një ndër më të fortit sa i përket shqiptarëve në Parlamentin grek.