Artistja shumë e njohur dhe ikona e ekranit italian, Raffaella Carrà, ka ndërruar jetë në moshën 78-vjeçare.
“Raffaella na la. Ka shkuar në një botë më të mirë, ku humaniteti i saj, buzëqeshja e pagabueshme dhe talenti i jashtëzakonshëm do të shndrrisin përgjithmonë”. Lajmin e trishtë për të gjithë publikun italian dhe jo vetëm e dha koreografi Sergio Japino.
Përgjatë karrierës së saj të gjatë, Carrà është bërë një ikonë e muzikës dhe televizionit italian. Por gjithashtu ajo është e njohur edhe ndërkombëtarisht.
“Raffaella Carrà ndërroi jetë në orën 16:20 nga një sëmundje që prej disa kohësh i kishte prekur trupin e saj të vogël, por nga ana tjetër me plot energji”, thuhej në një deklaratë.
E gjithë bota e televizionit në italian është në zi për shkak të ndarjes nga jeta të Carrà. “Të përcaktosh Raffaella Carrà është e vështirë”, shkruan TgCom duke iu referuar multidimensionalitetit të artistes italiane e cila këndonte, kërcente, aktronte, prezantonte dhe ishte një biznesmene e suksesshme.
Të gjitha këto kanë bërë që italianët t’i thërrasin “mbretëreshë” të ekranit, dhe që padyshim do t’i mungojë Italisë dhe jo vetëm.
Një profil i shkurtër
Të provosh të përshkruar Raffaella Carra është e vështirë. Sepse kjo artistë ka bërë gjithçka, këngëtare, balerinë, aktore, prezantuese. Buzëqeshja e saj nuk do të harrohet kurrë nga publiku i gjerë.
Raffaella Maria Roberta Pelloni lindi në 18 qershor të 1943 në Bolonja dhe u rrit në Romagna. Në moshën 8-vjeçare u regjistrua në Akademinë Kombëtare të Vallëzimit në Romë.
Në moshën 14-vjeçare mësuesja i tha se i kishte kaviljet e vogla dhe për këtë arsye iu fut kinemasë dhe u regjistrua në Qendrën Eksperimentale të Kinematografisë.
Në vitin 1960 ajo fitoi një rol të vogël në filmin “Nata e gjatë e ’43” nga Florestano Vancini. Tre vjet më vonë xhiron “I Compagni” dhe më pas “Celestina” me Carlo Lizzani.
Më pas përvoja amerikane. Me Frank Sinatrën, ajo luajti në filmin “Koloneli Von Ryan”.
“Unë u zgjodha nga shumë aktore të famshme që dëshironin të luanin së bashku me Frank. Ai ishte një zotëri i shkëlqyer, por unë nuk i dija këngët e tij. Unë shkova në juke-box dhe luajta Beatles. Ai ishte e hutuar”, kujtonte Carra.
Ajo u zgjodh të bashkohej me Nino Ferrer në Rai në programin “Io, Agata e tu”. E panjohur për shumicën, ajo ka guximin të pyesë: ” Më jep tre minuta vetëm për mua. Edhe At Rotondi ka tre minuta vetëm për të. Pse jo unë? ”. Jemi në vitin 1969 dhe prej aty nis ngjitja e saj e pandalshme.