Bota Ndërtimet e reja i kushtojnë shtrenjtë, Liverpuli humbet vendin në Trashëgiminë Botërore...

Ndërtimet e reja i kushtojnë shtrenjtë, Liverpuli humbet vendin në Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s

UNESCO i heq statusin e Trashëgimisë Botërore Liverpulit, në Britani. Shkak është bërë zhvillimi i zonës, në masë të tillë sa ka shkaktuar një “humbje të pakthyeshme” të vlerave historike të portet viktoriane. Agjencia e trashëgimisë kulturore e Kombeve të Bashkuara e mori këtë vendim sot gjatë një takimi në Kinë, përmes një votimi të fshehtë, raporton The Guardian.

Sipas UNESCO-s, “vlera e jashtëzakonshme universale” e bregdetit të Liverpulit është shkatërruar nga ndërtesat e reja, përfshirë stadiumin e ri të klubit të futbollit Everton me vlerë 500 milionë £.

Liverpuli bëhet kështu vendi i tretë që i nënshtrohet kësaj mase jashtëzakonisht të rrallë.

Vetëm dy vende ishin hequr më parë nga kjo listë, e cila ekziston që nga viti 1972.

Rezervati i oriksit arab (një lloj antilopë) u hoq në 2007 pas vendimit të Omanit për të zvogëluar këtë zonë me 90%, për një projekt kërkimi hidrokarburesh, kurse dy vjet më vonë u hoq lugina e Elbës në Dresden (Gjermani) për shkak të projektit të ndërtimit të një ure rrugore.

Liverpul e ka marrë statusin e trashëgimisë botërore që nga viti 2004, për rolin e tij si fuqi kryesore tregtare gjatë perandorisë britanike dhe për bukurinë arkitektonike të vijës bregdetare dhe pas një rehabilitimi ambicioz të bregdetit dhe dokeve.

Porti i nisjes për miliona migrantë irlandezë dhe britanikë, si edhe skllevër afrikanë, qyteti me një trashëgimi të pasur muzikore është gjithashtu vendlindja e Beatles, një histori që UNESCO e konsideroi si “veçorinë dhe unicitetin” e Liverpulit.

Statusi u jep sajteve historike akses në financimin dhe mbrojtjen nga Kombet e Bashkuara nën konventat e Gjenevës në rast lufte. Liverpuli është paralajmëruar për një masë të tillë që nga viti 2012, kur UNESCO i tërhoqi vëmendjen për ndryshimin që po i bëhej qytetit me ndërtimet e reja dhe shkatërrimin e vlerave të trashëgimisë në vijën bregdetare.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara tha se plane zhvillimi të tilla si Liverpool Waters, një projekt 5.5 miliardë paund nga Peel Group për të transformuar sipërfaqe toke të papërdorura më parë, kishte çuar në një “përkeqësim serioz dhe humbje të pakthyeshme” të vlerës së jashtëzakonshme universale të zonës, paralelisht me një “humbje të konsiderueshme të autenticitetit dhe integritetit të tij”.

Ajo tha se si rezultat i këtyre projekteve, bregdeti ishte “përkeqësuar në atë masë sa që kishte humbur karakteristikat” që çuan në përfshirjen e tij në listën e trashëgimisë botërore në 2004.

Propozimi për të ndërtuar stadiumin e ri të futbollit buzë lumit Everton në dokun e Bramley-Moore ka shkaktuar humbje të mëtejshme të vlerave të tij historike.

Autoritetet vendore u tronditën nga vendimi i UNESCO-s. Kryebashkiakja Joanne Anderson tha se ishte “jashtëzakonisht e zhgënjyer dhe e shqetësuar” dhe se këshilli do të konsideronte apelimin e këtij vendimi.