Pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama u ndal për një prononcim për gazetarët të cilët e pyetën edhe për nismën e qeverisë për ndërtimet pa leje.
Kreu i qeverisë tha se nuk ka asnjë ndërtues në Shqipëri që i del përpara që t’i thotë se i ka marrë paratë.
Sipas Ramës, problematika e ndërtimeve pa leje ka qenë tmerri i këtij vendi. Por sipas tij, fakti që sot kjo problematikë është më pak, tregon punën e madhe që është bërë për ta ndaluar. Dhe këtu shtoi se këtë mund ta bëjë ai vetë dhe Partia Socialiste.
“Unë nuk jam as inspektor i ndërtimit, nuk jam as shefi i policisë dhe mbi të gjitha nëse sot ne jemi 1 me 10 në raport se me ku ishim, kjo vjen si rezultat i vullnetit tim, i vullnetit të kësaj qeverie dhe i vullnetit të kësaj bashkie. Por siç e thashë dhe më parë problematika ende e pambyllur e ndërtimeve pa leje për qëllim përfitimi është një problematikë që burimin e ka në llumin në radhë të parë të drejtësisë. Ajo që ne po bëjmë, tregon krejt të kundërtën që ne nuk jemi ata që prezumonte edhe pyetja juaj që ia merrte këtej, ia jepte andej. Se po të ishte kështu ne bënim atë që kanë bërë të tjerët më parë. Nuk janë personat që marrin eurot siç ua tregoni ju njerëzve që duan t’ju dëgjojnë dhe fatkeqësisht edhe t’ju besojnë, por ka subjekte, të cilat angazhohen në gara dhe marrin atë që ju takon, ndërkohë që po ua përsëris, po të ishte kjo lidhje, bënim atë që kanë bërë të tjerët më para, i merrnim ato kate për vete. Dhe s’kishim fare nevojë t’i hynim kësaj historie. Por ne i hymë këtij shtegu sepse nuk kemi asnjë lidhje me këto. Mua personalisht nuk ka ndërtues në Shqipëri, nuk ka biznesmen në Shqipëri që më vjen dot më del përpara dhe thotë që 1 qindarkë e punës së tij është në xhepat e mi. Nuk ka. Juve mund ta fantazoni, por ky nuk ekziston. Problematika e ndërtimeve pa leje është një problematikë e cila ka qenë tmerri i këtij vendi. Sot është një problematikë që ende ekziston për fat të keq, por është shumë herë më pak, që do të thotë se është bërë punë e madhe për ta frenuar, por sidoqoftë deri tek metri i fundit i ndërtuar pa leje për qëllim fitimi ne do të vazhdojmë të rezistojmë dhe të bëjmë punën tonë. Me këtë vendim do të shikoni që këto metra katrorë do të merren nga shteti, në një mënyrë ose një tjetër dhe pasi të merren nga shteti do të përdoren për interes publik. Këtë nuk ka pasur se kush ta bëjë. Këtë mund ta bëj vetëm unë dhe vetëm kjo partia këtu. Të tjerët i kanë rregulluar gjërat, i kanë mbyllur sytë. Në qoftë se do t’i kisha lejuar unë dhe zoti Veliaj ju nuk do merrnit vesh fare për këtë histori sepse këtë çështje nuk e ngritët, ju, këtë çështje e ngrita unë, këtë çështje e ngritëm ne”, u shpreh Rama.
Rama i ktheu përgjigje edhe akuzave për ndërtimin e një instalacioni në Kryeministri.
“Qeveria nuk ka shpenzuar asnjë qindarkë për asnjë lloj instalacioni në mjediset e Këshillit të Ministrave. Qeveria ka ndërmarrë një program të energjisë së rinovueshme diellore që do të shtrihet në të gjitha institucionet duke filluar nga kryeministria dhe të gjitha ministritë. Nuk bëhet fjalë për një vepër arti, por një projekt energjie të rinovueshme të kombinuar me krijimin e një mikroklime dhe të një mjediseve të reja të punës. Nuk është diçka që bëhet për mua, apo për ne, por do të jetë aty për vite të tjera, e planifikuar prej kohësh. Teoria që duhen ndalur të gjitha investimet sepse kemi një situatë krize është një teori për të manipuluar njerëzit, por nuk funksionon. Nga investimet vijnë të ardhura të tjera. Nga të ardhura rritet ekonomia, dhe nga rritja ekonomisë rritet kapaciteti për të shpërndarë, kështu që këto lloj gjërash shkojnë paralelisht sepse këtu bëhet fjalë për të krijuar vende të reja pune, për të krijuar atraksione të reja që sjellin më shumë njerëz”, u shpreh Rama.