Kompania Voltalia është shpallur fituese për ndërtimin e parkut fotovoltaik të Spitallës, një park me kapacitet prej 100 Megavatësh i cili do të ngrihet në një sipërfaqe prej 120 hektarësh.
Ajo ofroi një çmim prej 29.89 euro për megavat për 70 megavat të energjisë së prodhuar që do të parablihet nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE).
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e cilësoi ndërtimin e këtij parku një tjetër hap drejt diversifikimit të burimeve të energjisë, pas parakut fotovoltaik të Karavastasë. Ndërsa çmimi i ofruar tha ajo, është një tjetër rekord historik pas atij të arritur në Karavasta, prej 24.89 euro.
“Ky park është dizenjuar për të prodhuar 100 megavat energji, ku 70 megavat do të parablihen nga OSHEE dhe 30 megavat do të shiten në tregun e lirë duke përdorur bursën e energjisë për një periudhë prej 15 vitesh“, tha ministrja.
Në garë morën pjesë 5 kompani, por vetëm 2 prej tyre e kanë kaluar fazën e vlerësimit teknik për të ardhur në fazën e vlerësimit financiar, “Voltalia” një kompani franceze e angazhuar në Karavasta dhe kompania kineze “Universal Energy”, e cila disa herë ka treguar interes.