Për shkak të ndeshjes Shqipëri-Gjeorgji që luhet këtë të martë në stadiumin “Air Albania” disa rrugë në Tiranë do të jenë të bllokuara. Këto masa janë marrë nga policia e Tiranës dhe do të nisë nga ora 15:00 e ditës së sotme deri në përfundimin e ndeshjes.
Rrugët që do të jenë të bllokuara:
* Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, 20 m mbi urën e Dajtit;
* Rruga “Papa Gjon Pali II”;
* Rruga “Dervish Hima”, pranë ambasadës së SHBA-së;
* Rruga “Asim Zeneli”, pranë ambasadës së SHBA-së;
* Rruga “Themistokli Gërmenji”;
* Rruga “Ismail Qemali”, kryqëzimi i Liceut;
* Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;
* Rruga “Jul Variboba”, pranë postës;
* Rruga “ Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës;
* Rruga “Avdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar.
Ndërkohë hyrja e tifozëve në stadium do të nisë prej orës 18:00. Autoritetet kërkojnë mirëkuptimin e tifozëve që të paraqiten në hyrjen e stadiumit nga kjo orë pasi për shkak të fluksit pak para fillimit të ndeshjes, mund të humbasin mundësinë për të hyrë në stadium.
“Gjithashtu, apelojmë për tifozët dhe për qytetarët që të jenë vigjilentë për të mos rënë pre e mashtrimit me çmimet e biletave, të cilat janë të bëra publike zyrtarisht, si dhe që të mos publikojnë në rrjete sociale biletat e blera, pasi mund të dublikohen në kundërshtim me ligjin. Çdo biletë është e pajisur me barcode, është personale dhe duhet të mbahet vetëm nga shtetasi që e posedon, i cili sipas radhës, do të kalojë vetëm, për t’iu kontrolluar barcode nga pajisja që regjistron automatikisht çdo tentativë për të hyrë me biletë të falsifikuar ose të dublikuar”, njoftoi policia.
Ndërkohë si pjesë e planit të masave do të ushtrohet kontroll i imtësishëm ndaj tifozëve para futjes në stadium.
“Me qëllim parandalimin e futjes në stadium, të banderolave me përmbajtje raciste, të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, mjeteve/produkteve për përdorim kozmetik dhe sendeve të tjera të forta, të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve”, njoftoi policia.
Me këtë rast, policia informon shtetasit shqiptarë dhe të huaj, se në bazë të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive, si hyrja në fushën e lojës gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv nga persona të paautorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë. Kur nga kjo vepër, ka ardhur pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj.
Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi njerëzit, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.
Për të garantuar sigurinë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje, policia thotë se ka bashkëpunuar me të gjitha institucionet që kanë rol në mbarëvajtjen e aktivitetit, që nga FHF, UEFA, Garda, Policia Bashkiake, Shërbimi Zjarrfikës, shoqëritë private të sigurisë si dhe spitalet.