Në kuadër të masave për parandalimin e zjarrvënieve, policia ka identifikuar tre qytetarë të cilët ndezën zjarre. Si pasojë e këtyre zjarreve, flakët u dogjën në sipërfaqe të mëdha toke në Kavajë, Lazarat dhe në Lushnje.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë arrestuan në flagrancë shtetasin P. U., 65 vjeç, banues në fshatin Lekaj, Rrogozhinë, pasi ka ndezur zjarr për djegien e kashtës, në tokën e tij, në fshatin Lekaj, zjarri i ka dalë jashtë kontrollit dhe ka rrezikur banesa dhe prona të banorëve të tjerë të fshatit. Pas ndërhyrjes së shërbimeve zjarrfikëse, është bërë e mundur fikja e zjarrit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasin P. K., 58 vjeç, banues në fshatin Lazarat, Gjirokastër, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr për djegien e mbetjeve të grurit, në vendin e quajtur “Sifoni”, në fshatin Lazarat, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe toke me mbetje gruri (rreth 5 dynym).
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen V. B., 43 vjeçe, banuese në Lushnjë, pasi dyshohet se në lagjen “18 tetori”, zjarri që 43-vjeçarja kishte ndezur për djegien e mbeturinave, ka dalë jashtë kontrolli dhe si pasojë është djegur një sipërfaqe toke me bimësi, në pronësi të një shtetasi tjetër”, thuhet në njoftim.
Policia njofton se do të vijojnë kontrollet në të gjithë vendin, për të kapur dhe vënë përpara përgjegjësisë penale të gjithë ata shtetas që ndezin zjarre, si në tokat e tyre, ashtu edhe në sipërfaqet pyjore apo në kullota.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë banorët, që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin.