Policia e Durrësit ka zbardhur skemën e falsifikimit të dokumenteve, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.
Është identifikuar dhe shpallur në kërkim një 53-vjeçar bullgar që organizonte dhe kryente falsifikimin e dokumenteve të udhëtimit, i cili ka mundur të largohet jashtë vendit.
“53-vjeçari bullgar F. S. dyshohet për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, pasi ky shtetas, ka ndihmuar nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve, 6 shtetas turq, të cilët janë arrestuar në flagrancë, pasi kanë tentuar të kalojnë kufirin në PKK Durrës, me karta identiteti bullgare të falsifikuara, për në zonën Schengen”, thuhet në njoftimin e Policisë, ndërsa vijon puna për kapjen e tij.
Më herët, në Portin e Durrësit, në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar 6 shtetas turq, të cilët tentuan të përdornin dokumente të falsifikuara për të kaluar kufirin.