Punonjësi i Policisë Jeton Lami dyshohet se ka përkrahur e transportuar personin e shumëkërkuar Ervis Martinaj që të arratiset.
Policia e Kurbinit sqaron se Jeton Lami me detyrë punonjës policie (agjent), pranë Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit akuzohet për shpërdorim detyre.
Gjykata ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”.
Zhdukja e Ervis Martinajt
Prej më shumë se 2 javësh policia po verifikon disa të dhëna për zhdukjen e Ervis Martinaj. Denoncimi për zhdukjen e Ervis Martinajt u bë nga familjarët e tij, konkretisht xhaxhai. Ky i fundit ka deklaruar në Polici se nuk ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë së fundmi me Martinajn, por përmes personave të tretë dhe se ka dyshime se nipi i tij mund të jetë rrëmbyer.
Pistat e hetimit
Pista e parë që po hetohet është ajo e rrëmbimit me pasojë eliminimin fizik të personazhit të njohur të botës së krimit pas denoncimit të familjarëve të tij. Pista tjetër është ajo e një inskenimi të mundshëm me qëllim humbjen e gjurmëve.