Humb jetën tragjikisht një efektiv policie në Elbasan. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Mlizë në Njësinë Administrative Shushicë gjatë të Premtes.
62-vjeçari Edmond Brahimaj, efektiv i policisë rrugore, mbeti i dëmtuar rëndë fillimisht ndërsa po i jepte ndihmë një personi për të ndërruar gomën e dëmtuar të një autoboti uji në fshatin Mlizë.
Fatkeqësisht gjatë manovrimit të heqjes së krikut depozita ka rënë mbi trupin e 62-vjeçarit duke i shkaktuar dëmtime të rënda.
Pavarësisht transportit me urgjencë në Spitalin Rajonal të Elbasanit dhe trajtimit mjekësor, 62-vjeçari ka ndërruar jetë mbrëmjen e djeshme.
Njoftimi i Policisë së Elbasanit:
Elbasan/Ditën e djeshme, në fshatin Mlizë, shtetasi E. B., 62 vjeç, (punonjës policie jashtë orarit të shërbimit), i ka dhënë ndihmë një shtetasi, banor i zonës, për të ndërruar gomën e një rimorkioje të ngarkuar me një depozitë metalike uji.
Në momentin që ka hequr krikun, aksidentalisht depozita e ujit është rrëzuar dhe për pasojë ka dëmtuar rëndë shtetasin E. B., i cili ka humbur jetën në spital.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.