“Zëri i Amerikës” ka publikuar një kronikë me titull: “George Sorosi dhe debatet për ndikimin e tij në Shqipëri”. Pjesë e saj është edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i njohur për qëndrimet publike kundër filantropit amerikan.
Në prononcimin për gazetaren Mimoza Picari, Berisha ka hedhur akuza ndaj fondacionit duke nisur nga kapja e Reformës në Drejtësi, roli i Edi Ramës, deri te bursa që i është mbuluar Lulzim Bashës per shkollim në Holandë.
“Edi Rama vetë ka qenë kryesor në Fondacionin Soros. Linda Rama vetë ka qenë drejtuese e Fondacionit Soros. Erjon Veliaj gjithashtu. Në një aspekt, me paratë e tij është mbjellë fara e korrupsionit e paimagjinueshme. Nuk është se nuk ka ekzistuar korrupsioni, por dhe ka ndikuar”, shprehet Sali Berisha ish Kryeministër i Shqipërisë, që është ndalur edhe te Basha.
“Unë nuk di të këtë marrë bursë, por edhe sikur të ketë marrë bursë, kjo nuk do të thotë që unë të mbetem skllav i një burse. Po të jetë ashtu dhe nëse do të isha në vendin e tij ja ktheja ato para”, pohon Berisha.
Ndërsa drejtor ekzekutiv i Fondacionit Soros për Shqipërinë, Andi Dobrushi pranon se bursa e Bashës është mbuluar prej tyre por shton se kreu i PD nuk ka pasur një bursë specifike.
“Për rastin e zotit Basha, për çfarë informacioni kam unë, ka patur një marrëveshje mes Universitetit të Uhtretit dhe Fondacionit Soros për bursa të përbashkëta për studentët shqiptarë. Dhe ka rastisur që dhe zoti Basha ka qenë student në atë kohë dhe ka përfituar prej tyre. Nuk besoj se ka patur një bursë specifike për zotin Basha”, tregon Dobrushi.
Artikullin e plotë e gjeni këtu.