Sport Ndizet merkatoja e Seria: Vlahovic në Torino, Inter kompleton sulmin

Ndizet merkatoja e Seria: Vlahovic në Torino, Inter kompleton sulmin

Në ditët e fundit të janarit, merkatoja në Serinë A është ndezur fuqishëm, teksa Interi është një prej ekipeve pa dyshim më aktivë. Zikaltrit kanë siguruar portierin Onana me parametra zero, i cili do të vihet nën urdhrat e Simone Inzaghit vetëm në fund të sezonit, teksa me efekt të menjëhershëm kanë marrë gjermanin Robin Gosens nga Atalanta dhe sulmuesin ekuadorian Caicedo.

Gosens bëri prezantimin zyrtar të enjten dhe firmosi deri në verën e 2026-ës, ndërsa Caicedo vjen për të plotësuar mungesën për shkak dëmtimi të Correas dhe do të qëndrojë të Milano deri në fund të sezonit, në një huazim që prek shifrën e 800 mijë eurove.

Por transferimin më të bujshëm në Itali dhe jo vetëm, e ka realizuar padyshim Juventusi, që ka paguar 75 milionë euro në arkat e Fiorentinës, për të marrë sulmuesin serb Dusan Vlahovic, i cili konsiderohet si një nga emrat më premtues.

Vlahovic ka mbërritur sot në Torino për vizitat mjekësore dhe në orët e pasdites pritet edhe zyrtarizimi, ndërsa Allegri më në fund do të ketë në dispozicion një bomber të fuqishëm dhe energjik, që pritet të ndihmojë jo pak skuadrën në pjesën e mbetur të sezonit.

Aktive edhe Fiorentina, që pasi firmosi me Ikone e Piatek, së fundi ka marrë edhe sulmuesin e Baselit, Arthur Cabral, i cili kishte tërhequr vëmendjen e shumë klubeve europiane, me golat e shumtë të shënuar me ekipin zviceran.

Nuk është shfaqur shumë aktiv në këtë merkato Napoli, që deri tani ka marrë vetëm mbrojtësin Tuanzebe në huazim nga Manchester United, ndërsa Milani vijon të jetë në kërkim të një mbrojtësi, por ende nuk ka arritur të sigurojë shërbimet e askujt për pjesën e mbetur të sezonit.