Aktualitet Ndjekje me shpejtësi të lartë, BMW-ja përplas makinat e policisë

Ndjekje me shpejtësi të lartë, BMW-ja përplas makinat e policisë

Katër shoferë mjetesh janë arrestuar gjatë 24 orëve të fundit në Tiranë, Cërrik, Fier dhe Dibër gjatë patrullimeve të policisë për të mos lejuar qarkullimin e mjeteve të paautorizuara.

Në Tiranë u arrestua 33-vjeçari me iniciale M.K. dhe u procedua penalisht në gjendje të lirë vëllai i tij E.K., pasagjer në makinë.

33-vjeçari me iniciale M.K., duke drejtuar makinën tip BMW me targa të huaja, nuk ju bind urdhrit të policisë për të ndaluar mjetin në dalje të Tiranës. Ai rriti shpejtësinë e automjetit duke bërë manovra të rrezikshme, dhe në tentativë për t’u larguar, përplasi dy mjete të Policisë Rrugore të Tiranës.

Më pas braktisi mjetin në një rrugë rurale në afërsi të Vorës dhe së bashku me vëllain u largua në këmbë, por u arrestuan gjatë ndjekjes nga punonjësit e policisë.

Gjatë kontrollit në mjet dhe në trup, policia sekuestroi 12400 franga zvicerane, një thikë dhe disa karta banke zvicerane në emër të shtetasit M. K. Ky i fundit akuzohet për kundërshtim të punonjësit të policisë, shkatërrim prine, mosbindje ndaj urdhrit të policisë dhe pastrim parash.

Në Cërrik, 40-vjeçari me iniciale G. Dh., duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur dhe me shpejtësi tej normave të lejuara nuk i është bindur urdhrit të policisë për të ndaluar dhe është kapur pas ndjekjes në rrugën “Shalës”, Belsh. Edhe në momentin e kapjes dhe gjatë shoqërimit, ky shtetas ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë, por është prangosur dhe shoqëruar forcërisht në ambientet e komisariatit.

Në Fier, nga specialistët e Qarkullimit Rrugor në DVP Fier u arrestua në flagrancë shtetasi A. A., 29 vjeç, banues në Mallakastër, pasi në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Grecallisë”, u kap nga shërbimet e policisë duke drejtuar automjetin tip “Benz”, në gjendje të dehur.

Në Dibër, nga shërbimet e Policisë Rrugore të Policisë së Dibrës u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi K. ZH., 23 vjeç, banues në Dibër, pasi në qytetin e Peshkopisë, u kap duke drejtuar automjetin tip furgon, pa dokumentacion dhe pa u pajisur me leje drejtimi.