Gjykata e Tiranës ka shënuar të parin dënim me burg për fotografimin e votës.
Bëhet fjalë për një 21 vjeçar në kryeqytet, që fotografoi votën e tij në zgjedhjet e 25 qershorit. Ai u dënua me 2 muaj burg, por përfundimisht do t’i nënshtrohet një dënimi alternativ, duke punuar 80 orë në interes të publikut.
Ndryshimi ligjor i bërë përpara zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit 2017 për dënimin me burg të personave që fotografonin fletën e votimit nuk është marrë seriozisht nga një 21 vjeçar në Tiranë. Ai nuk ka ngurruar të shkelë ligjin dhe tashmë do të vuajë pasojat.
Denis Nuhaj është personi i parë që dënohet me burg nga Gjykata e Tiranës për akuzën e “shkeljes së fshehtësisë së votimit”. Në përfundim të një gjykimi me kohë të shkurtuar i riu është dënuar me 2 muaj heqje lirie. Nuhaj është gjykuar në gjendje të lirë dhe përpos këtij dënimi ai nuk do të shkojë në qeli. Përfundimisht gjykata ka zëvendësuar dënimin me burg me një dënim alternativ, sipas të cilit 21 vjeçari është i detyruar për të kryer 80 orë punë të papaguar me interes publik.
Sipas vendimit të shpallur nga gjyqtarja Ardiana Beraj, një kopje e të cilit u sigurua nga “ABCneës” i riu është ndaluar ditën e zgjedhjeve. Ai është kallëzuar nga kryetarja e qendrës së votimit të ngritur në ambientet e shkollës “Dëshmorët e lirisë” në kryeqytet. Atij i është bllokuar në cilësinë e provës materiale edhe një apartat telefonik iPhone me të cilin kishte fotografuar fletën e tij të votimit. Para hetuesve i riua ka deklaruar se votonte për herë të parë dhe se nuk e dinte se fotografimi i votës ishte vepër penale. Ai ka theksuar se nuk e kishte bërë foton për ndonjë përfitim material.
Masat e ashpra ndaj krimeve zgjedhore janë sanksionuar në nenin 327 të Kodit Penal. Sipas këtij neni fotografimi apo filmimi i fletës së votimit dhe shfaqja e saj tek persona të tjerë përbën vepër penale dhe dënohet me burg nga 3 muaj deri në 3 vjet/AbcNews