Policia e Kuçovës ka nisur procedim penal për kryeinxhinierin dhe shefin e sigurimit teknik në një ndërmarrje për prodhimin e naftës, pasi ndotën ujërat e një përroi në qytet sepse shkarkuan aty, mbetje të hidrokarbureve.
Menjëherë pas njoftimit për ndotje të ujërave të përroit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kuçovë kryen të gjitha veprimet hetimore, për të përcaktuar përgjegjësinë penale për ndotjen.
Në përfundim të hetimeve u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit G. M., 51 vjeç, dhe T. L., 56 vjeç, përkatësisht me detyra kryeinxhinier dhe shefi i sigurimit teknik, në një ndërmarrje për prodhimin e naftës, në Kuçovë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës”.