Bashkëpunimin mes mafias kalabreze Ndrangheta e grupeve kriminale shqiptare në biznesin e trafikut të kokainës e konfirmoi pak javë më parë në një intervistë ekskluzive për Ora News, Prokurori i Antimafias italiane të Katanzaros Nicola Gratteri, e së fundmi e përditshmja britanike “The Guardian” i përkufizonte grupet kriminale shqiptare si “padronët e kokainës në Britaninë e Madhe”.
Alarmin e këtij bashkëpunimi me fitime milionëshe e përcjell dhe e përditshmja italiane “Corriere della Calabria”, në artikullin me titull “Ndrangheta-Hellbaniaz, një pakt i hekurt për të kontrolluar portet e Europës” ku evidentohet se si sinergjia mes klaneve kalabreze e mafias shqiptare, trafiqet milionere të kokainës, ryshfetet për të hyrë në portet e Roterdamit e Anversës, përbëjnë një kërcënim për kontinentin e vjetër.
Historia kriminale e mafias shqiptare zhvillohet në rrethinat e Londrës, kryesisht në lagjen “Gascoigne” ku ata tregtojnë sasi të mëdhe droge e joshin imazhin e suksesit të tyre përmes YouTube.
“Gangsta rap ballkanik, Ferrari e shuma parash që ekspozohen në sedilje. Marka funksionon; miliona shikime në viedot e tyre e ndjekës të rinj që verbohen çdo ditë nga efektet speciale”, shkruan “Corriere della Calabria”.
Krejt i ndryshëm është skenari i familjeve mafioze të Ndranghetas, ku nga territori i tyre në Locri të Kalabrisë, urdhërojnë dërgesat e kokainës me vlerë mbi dhjetra milionë euro.
Kokaina që po përmbyt tregun europian, importohet nga Amerika Latine ose blihet në Hollandë nga grupet e trafikantëve. Disa ngarkesa me kokainë mbërrijnë në Itali nga Europa Veriore.
Kokaina fshihet në kontenjerë të përcaktuar për tu tranzituar në portet e Roterdamit e Anverses. Emisarët e klaneve mafioze të Ndranghetas udhëtojnë personalisht drejt Holandës e Belgjikës për të mbyllur bizneset e drogës me shqiptarët.
Në bazë të analizave të kryera nga ish-kreu i Antidrogës së Agjensisë britanike NCA, Tony Saggers, lidhja mes Ndranghetas e trafikantëve shqiptarë nuk është vetëm një bashkëpunim biznesi por është një lidhje e fortë jo kompetitive, që ka çuar në monopolizimin e trafikut të kokainës.
Kokaina blihet në Amerikën latine nga lidhjet historike të Ndranghetas me trafikantë amerikano-jugor, e mafia shqiptare merret me ngarkesën e drogës në momentin që mbërrin në portet europiane. Falë ryshfeteve e njerëzve të tyre, shqiptarët janë të aftë të nxjerrin kokainën jashte portit.
Por shqiptarët janë të aftë dhe në kriptimin e komunikimit mes trafikantëve, siç dëshmon rasti i sipërmarrësit shqiptar nga Holanda, i cili vuri në dispozicion 1400 telefona për një komunikim të rezervuar.
“Raporte të stilit të vjetër të klaneve kalabreze me trafikantë amerikano-jugor e strategjia e infiltrimit të shqiptarëvë në rrugë e në rrjetet sociale kanë një qëllim të vetëm, kontrollin e kokainës në të gjithë Europë”, shkruan “Corriere della Calabria”./Alba Kepi, Ora News