Para të gjeneruara përmes aktivitetit kriminal në Itali, që më pas pastrohen në vende të tjera të Europës, për t’u rikthyer sërish në vendin e origjinës si investime në sektorin e pasurive të paluajtshme. Skema e njohur lidhet me Ndrangheta-n, një nga organizatat kriminale më të fuqishme në Europë.
Ndrangheta, shumë më e strukturuar dhe e pranishme në nivel ndërkombëtar, ka arritur të transformohet dhe të evoluojë me kalimin e kohës, duke shkuar përtej kufijve të organizatës kriminale kalabreze, e cila financohej përmes rrëmbimeve.
Me kalimin e viteve, në fakt, ndërsa pjesa më e madhe e vëmendjes ishte te Cosa Nostra, ‘Ndrangheta’ arriti të shndërrohej në një kompani të vërtetë të krimit, e aftë për të faturuar shifra të cilat, sipas vlerësimeve të fundit, mund të kalonin 60 miliardë euro.
Organizata kriminale kalabreze mblodhi shuma marramendëse përmes trafikut të drogës dhe kontakteve të tij me kartelet kryesore në Amerikën e Jugut.
Një operacion i kryer së fundmi në Itali zbulon se “Ndrangheta” vendase, e përfaqësuar nga banda Bonavota e Sant’Onofrio, në provincën e Vibo Valentia, ka pastruar miliona euro përmes kompanive të shumta të pranishme në shtete të ndryshme evropiane, veçanërisht në Budapest, Hungari.
Nicola Gratteri, kryeprokuror i Catanzaro-s, thotë se duke angazhuar profesionistë që ndodhen jashtë vendit, “Ndrangheta ka arritur të ndërlidhet me banka të shumta në vende të ndryshme për t’i bërë paratë të kalojnë në shumë xhiro dhe t’i pastrojë para se t’i kthejë në Itali përmes investimeve veçanërisht në sektorin e pasurive të paluajtshme”.
Mes këtyre profesionistëve përmendet edhe dr. Edina Szilágyi, një avokate me peshë në një prej firmave ligjore më të mira në Budapest. Falë përgjimeve dhe deklaratave të siguruara nga bashkëpunëtorë të ndryshëm të drejtësisë, doli se banda e Bonavota di Sant’Onofrio, falë profesionistëve të sektorit, arriti të ngrejë kompani të ndryshme në vende të ndryshme si Hungari, Francë, Britani e Madhe, por edhe Qipro dhe Danimarkë, për të pastruar para, duke përfshirë investimet në pasuri të paluajtshme, ose nëpërmjet blerjen e një jahti luksoz.
Një pjesë e mirë e këtyre kompanive u krijuan në Hungari dhe duket se studioja ligjore e avokatit Szilágyi luajti rol themelor, duke e shndërruar Budapestin jo vetëm në një lavatriçe parash të pista, por edhe në një varrezë korporatash.
Në vitet e fundit – siç raportohet nga gazeta hungareze “Pesti Srácok” – rreth 168 kompani janë regjistruar në adresën e studios ligjore të dr. Szilágyi, 50% pronare e një prej kompanive të sipërpërmendura dhe, aktualisht me një urdhër arresti europian.
Rrjeti kriminal dyshohet se ka publikuar reklama të shumta përmes kompanive të ndryshme të huaja. Synimi ishte futja e kompanive në krizë të rëndë financiare, duke premtuar nxjerrjen nga situata përmes kanaleve të investimeve të huaja të krijuara për të ulur borxhet. Në fakt, pothuajse të gjitha kompanitë e identifikuara kishin të përbashkëta borxhe të mëdha të grumbulluara me kalimin e kohës. Rezultati përfundimtar ishte zhvendosja e shumave të mëdha përmes llogarive të shumë kompanive të huaja, duke gjeneruar një vëllim kaq të madh transaksionesh sa ishte e vështirë të gjurmohej.