Sport Ndryshime në listë, mungojnë katër lojtarë. Silvinjo bën një rikthim të bujshëm...

Ndryshime në listë, mungojnë katër lojtarë. Silvinjo bën një rikthim të bujshëm në sulm

Kombëtarja shqiptare nuk është në momentin më të mirë të mundshëm, në prag të dy sfidave në Ligën e Kombeve.

Trajneri Silvinjo, duhet të bëjë pa katër lojtarë të rëndësishëm, për takimet ndaj Çekisë dhe Ukrainës.

Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se Berat Gjimshiti, Keidi Bare, Marash Kumbulla dhe Rey Manaj nuk do të jenë pjesë e grupit për dy ndeshjet e Nëntorit.

Gjimshiti u dëmtua në ndeshjen e fundit në kampionat ndaj Udinese-s, ndërsa Bare dhe Kumbulla ishin të dëmtuar dhe pas komunikimit të stafit mjekësor të Kombëtares me klubet përkatëse është vendosur që futbollistët të vazhdojnë rikuperimin.

Gjithashtu, Rey Manaj u bashkua në grumbullim me ekipin dhe pas testeve mjekësore, u zbulua se sulmuesi nuk mund të rikuperohet në kohë, prandaj u vendos që të rikthehet në klubin e tij për të vijuar me programin e rikuperimit.

Për shkak të këtyre katër mungesave trajneri Silvinjo ka vendosur të grumbullojë për dy ndeshjet e nëntorit Adrian Bajramin, Jon Mersinajn dhe Arbnor Mujën.

Muja kthehet me bujë në sulm, pasi mungonte prej një viti. Ndërkohë Bajrami dhe Mersinaj vlejnë për repartin e mbrojtjes.

Për Mersinajn ftesa shkon pasi mungonte prej marsit të këtij viti në takimet miqësore. Në anën tjetër Mersinaj ishte i ftuar në shtator për Ligën e Kombeve, teksa qëndroi i gatshëm në stol.

Lojtarët pritet të bashkohen me kuqezinjtë gjatë të martës për të nisur stërvitjen.

Në seancën e zhvilluar sot në stadiumin “Air Albania” morën pjesë Ylber Ramadani, Myrto Uzuni, Ivan Balliu, Kristjan Asllani, Ardian Ismajli, Arbër Hoxha, Mario Mitaj, Alen Sherri, Simon Simoni, Elseid Hysaj, Andi Hadroj, Thomas Strakosha dhe Feta Fetai.

Kujtojmë se Shqipëria do të përballet me Çekinë më 16 Nëntor dhe me Ukrainën tre ditë më vonë.