Ditën e sotme janë bërë disa ndryshime në Policinë e Shtetit. Me propozim të Drejtorit të Përgjithshëm, Ardi Veliu dhe me miratimin e Ministrit të Brendshëm ka marrë gradën Drejtues i Lartë dhe është emëruar në detyrën e Zv/Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Drejtues Albert Dervishi, deri sot në detyrën e Drejtorit të Rendit.
Drejtori i Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Policinë e Shtetit Drejtues i Lartë Idajet Faskaj, është liruar nga kjo detyrë dhe është emëruar në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe ka marrë gradën Drejtues i Parë.
Drejtori i Kabinetit të Drejtorit të Përgjithshëm, Drejtues i Parë Pëllumb Seferi, është emëruar Drejtor i Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe ka marrë gradën Drejtues i Lartë.
Këto ndryshme sipas zyrës së shtypit të Policisë së Shtetit vijnë me qëllim dhënien e një impulsi të ri, por edhe për shkak të largimit të zv/drejtoreshës Aida Hajnaj.
Ajo do të fillojë detyrën e re si drejtore e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Në ambientet e Policisë së Shtetit është kryer një ceremoni për të vlerësuar punën e Hajnajt.
Ndër të tjera, drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu i ka dorëzuar Hajnajt certifikatën për shërbime të dalluara me motivacionin “Për merita të veçanta, profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar në përmbushjen cilësore të detyrave dhe kontributin e dhënë gjatë viteve të punës për zhvillimin e vazhdueshëm të standardeve policore, në shërbim të Policisë së Shtetit”.